Gjilani e ka gjetur rrugën e fitoreve me ardhjen e Ismet Munishit në pozitën e shefit të shtabit teknik.
Në debutimin e tij si trajner, Munishi drejtoi Gjilanin drejt fitores ndaj Trepçës ’89 2:1 në kuadër të javës së 25-të në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Demokracia.com.
Para Munishit, te Gjilani trajner ishin Gentjan Mezani dhe Bylbyl Sokoli, të cilët u larguan shkaku i rezultateve të dobëta.
Munishi e nisi punën si trajner te Gjilani dje, ndërkaq sot i solli frytet e para – fitoren, e cila mungonte skuadrës që prej fillimit të stinorit pranveror.
Mesfushori i Gjilanit, Muhamet Useini në një bisedë me Demokracia.com ka vlerësuar ardhjen e Munishit në skuadër, derisa thotë se raportet i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë edhe me trajnerët paraprakë.
“Kam raportet e mira me të gjithë. Secili i ka metodat e veta dhe secili është i mirë në mënyrën e tij”, ka thënë Useini.
Useini që ka kontratë me Gjilanin deri në qershor, ka thënë se në fund të edicionit do të vendoset e ardhmja e tij.
“Kam kontratë deri në qershor. Puna ime është të jap maksimumin duke e respektuar fanellën dhe duke bërë punën në mënyrën më të mirë deri në fund. Pastaj, në fund të edicionit do të shohim se si do të rrjedhin gjërat”, përfundoi të dielën Muhamet Useini.
Ndryshe, pas 25 javësh, Gjilani ndodhet në vendin e katërt në tabelë me 36 pikë të tubuara. /Demokracia.com