Kancelari gjerman Friedrich Merz, ka kritikuar sërish veprimet ushtarake izraelite në Gaza, ku gjatë një vizite në Turku, Finlandë, ai ka thënë se është “i tronditur nga fati dhe vuajtjet e tmerrshme të popullsisë civile” atje.
Sipas DW, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin finlandez Petteri Orpo, Merz ka theksuar se po i sheh me shqetësim zhvillimet atje.
Ndërsa, duke rikonfirmuar angazhimin e Gjermanisë për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe për t’u vetëmbrojtur, Merz ka thënë se “Gjermania e dënon terrorin e Hamasit pa asnjë rezervë”, megjithatë, ka shtuar se vendi është “më shumë se i shqetësuar për intensifikimin e aktiviteteve ushtarake të ushtrisë izraelite në Gaza”.
“Nuk po arrij të kuptoj më logjikën e këtyre sulmeve të mëdha ushtarake nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës dhe se si këto veprime ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit dhe në lirimin e pengjeve,” është shprehur Merz.
Raportohet se ai më tej ka thënë se, veprimet aktuale të Izraelit nuk i duken më si “të domosdoshme për mbrojtjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe për luftën kundër terrorizmit të Hamasit.
Veprimet izraelite në Gaza, janë kritikuar edhe nga kryeministri i Finlandës, Orpo, i cili i quajti si të “të papranueshme”, duke bërë thirrje për shtim urgjent të ndihmës humanitare për banorët e Gazës.