Michael Martens, gazetar i prestigjozes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nëpërmjet një postimi në “X” të martën, përgenjështroi një artikull të botuar në rrjetin ballkanik “Balkan Insight” gjatë ditës, i cili titullohet: “Mos i injoroni shkaqet reale të rënies së popullsisë së serbëve të Kosovës”.
Në artikullin e “Balkan Insight” mbi rënien e supozuar të popullësisë serbe përmendet “ngacmimi seksual” që gjoja shqiptarët e Kosovës ua bëjnë grave serbe. Por, në llupën e një gazetari të njohur, i cili për mbi dy dekada mbulon zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, kjo kalon në nivel propagande.
Reagimi i Mertens vjen në dritën e pretendimeve të autorit të artikullit, i cili për t’i shërbyer propagandës serbe, citoi një studim inekzistent që pretendon të dëshmojë pse posaçërisht gratë serbe largohen nga Kosova: “Ato përballen me një kërcënim të dyfishtë sepse janë serbe dhe janë femra”.
“Propaganda e Serbisë në vitet ’90 është kthyer: serbët, ashtu sikurse thuhet, largohen nga Kosova sepse shqiptarët ngacmojnë seksualisht gratë serbe”, shkroi gazetari gjerman, derisa argumentoi se këtë nivel të propagandës e ndoqi edhe regjimi serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviç viteve ’90.