Nga sot 1 maj të gjitha shërbimet në Shqipëri do të kryhen online.
Sipas vendimit të qeverisë duke nisur nga sot të gjithë qytetarët mund të marrin online çdo dokument që i nevojitet, duke shmangur radhët e gjata dhe burokracitë.
“Në 1 MAJ nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale. Ky është një stacion historik i Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, ka shkruar Rama në Facebook pak ditë më parë.
Po ashtu, në telefonat e qytetarëve ka mbërritur edhe një mesazh, që e lajmëron këtë ndryshim, ndërsa jep edhe linkun me videon shpjeguese.
“Nga data 1 Maj sportelet do te mbyllen. Sherbimet e dokumenteve vetem ne e-albania. Vizitoni https://e-albania.al/tutorial per te pare videot shpjeguese. Me shpejt, pa radhe dhe pa orar. 24 ore pa pushim ne sherbimin tuaj. Shqiperia e para ne rajon per sherbimet digjitale pa korrupsion!”, thuhet në mesazh.