Sport
Merr fund aventura e Shqipërisë në Euro 2024, mposhtemi minimalisht nga Spanja
Demokracia
22:55 | 24 Qershor 2024

Share:

Kombëtarja e Spanjës ka arritur fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Shqipërisë duke i dhënë fund aventurës së “Kuqezinjve” në Kampionatin Evropian 2024.

Shqipëria e nisi mirë këtë takim duke ushtruar presion në zonën e spanjollëve dhe duke mbyllur hapësirat, por duke mos arritur që të krijojë ndonjë rast shënimi.

Rasti i parë serioz në këtë ndeshje i takoi Spanjës, të cilët në minutën e 12-të iu afruan golit me anë të Mikel Merinos por Strakosha ia mohoi golin.

Vetëm një minutë pas këtij rasti, “Furia e Kuqe” arriti ta gjejë golin e epërsisë në përballjen ndaj Shqipërisë.

Ishte Ferran Torres ai i cili në minutën e 13-të realizoi për 1-0 pas asistimit të mençur nga Dani Olmo.

Shqipëria tregoi forcën e saj në minutën e 44-të me anë të Kristjan Asllanit i cili me një super goditje nga jashtë zonës e testoi seriozisht portën e David Rayas, por pa arritur të shënojë.

Në pjesën e dytë Shqipëria rrezikoi seriozisht në disa raste portën e Spanjës, por duke mos arritur që ta gjejë golin.

Fillimisht Joselu pati një mundësi të mirë shënimi për Spanjën pasi në minutën e 47-të tentoi ta gjejë golin me një goditje akrobatike por pa sukses.

“Kuqezinjtë” rastin më të mirë në këtë ndeshje e pati me Armando Brojën i cili në minutën e 64-të u mundua ta zë ne befasi David Rayan por ky i fundit reagoi mirë.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Shqipëria pati edhe disa dalje të rrezikshme në sulm, megjithatë nuk ia doli ta gjejë golin.

Të besuarit e Sylvinhos kështu e përfunduan aventurën në Euro 2024 me vetëm një pikë të fituar, por na dëshmuan se këta futbollistë kanë potencial të madh për të vazhduar të na bëjnë krenar në të ardhmen.

Të ngjashme