ShowBiz
Meriton Mjekiqi uron Bajramin në praninë e të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës
Demokracia
23:53 | 16 Qershor 2024

Share:

Një figurë e njohur publike, Meriton Mjekiqi ka shkaktuar polemika pas publikimit të një urimi për festën e Kurban Bajramit në rrjetet sociale.

Në këtë postim, ai ndau një fotografi ku shihej përkrah Rrahim Abdullahut, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Mesazhi i urimit ishte i thjeshtë dhe i qartë: “Gëzuar Bajramin! Të gjithë besimtarëve mysliman”. Megjithatë, prania e “Rrumqit” në fotografi shkaktoi polemikë.

Rrahim Abdullahu ka qenë i kërkuar nga Interpoli nën akuzën se ka organizuar vrasjen e policit, Triumf Riza, bashkë me Enver Sekiraçën dhe Ilir Abdullahun. Ai akuzohet sesi grup i organizuar nga Enver Sekiraça së bashku me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Ilir Abdullahun, kanë vrarë Triumf Rizën.

Ky takim ngre pikëpyetje rreth marrëdhënies së Mjekiqit me të dyshuarin.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që një i dyshuar për vrasje shfaqet përkrah personave të njohur e me ndikim.

Mjekiqi kishte qenë në shoqërinë edhe të dyshuarit tjetër, Ilir Abdullahut, i njohur me nofkën Liza, në momentin e arrestimit. Mjekiqi ndodhej në veturë me Lizën kur ai u kap nga Policia e Kosovës, kishte raportuar Paparaci atë kohë.

Paparaci kishte raportuar për një takim të tre policëve me Abdullahun. Menjëherë pas raportimit ishte aktivizuar IPK-ja dhe të njëjtit ishin suspenduar nga detyra.

Për këtë krim, Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg.

Pas disa vitesh në gjykatë, Enver Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim për shtytje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, vrasje që ka ndodhur në vitin 2007.

Vlen të theksohet se Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga shkalla e parë, por çështja ishte kthyer në rigjykim. Më 17.05.2016 ishte dënuar me 37 vjet dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar (16.09.2019) me 30 vjet dënim me burgim.

Më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, gjykatësi Agim Kuçi mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale ndaj atij vendimi, ka vendosur që Sekiraqën ta kthejë në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë. Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

Deri më tash zero informacione për vendndodhjen e tij, përveç një deklarate të avokatit mbrojtës të tij, Besnik Berisha. Ai në një intervistë për RTV Dukagjini kishte thënë se i njëjti është në arrati, por sipas tij Sekiraqa është në spital duke u trajtuar me probleme shëndetësore serioze.

Ai nuk ka njoftuar për vendin se në cilin vend gjendet klienti i tij.

Disa ditë pas kësaj deklarate, Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e Enver Sekiraqës duke ia publikuar fotografinë.

Në përpjekje për të kapur Sekiraqën, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha vendkalimet kufitare dhe ka informuar drejtoritë rajonale policore për të ndihmuar në ndalimin e tij./Paparaci

Të ngjashme