Lajme
Mercenarët rusë dhe grupi paramilitar Wagner në Ukrainë
Demokracia
14:54 | 20 Mars 2022

Share:

Mercenarët rusë që luftojnë në Ukrainë, duke përfshirë grupin Wagner të mbështetur nga Kremlini, janë të lidhur me ekstremistët e djathtë, duke përfshirë një organizatë të cilësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si terroriste.

Megjithëse presidenti rus Vladimir Putin thotë se “operacioni i tij special ushtarak” synon “denazifikimin” e Ukrainës, një hulumtim ka gjetur lidhje midis forcave pro-ruse dhe ekstremizmit të dhunshëm të krahut të djathtë, përkatësisht të lidhura drejtpërdrejt me grupin paramilitar Wagner.

Një postim në Telegram i shpërndarë nga një kanal pro-Putinit, i datës 15 mars, tregon flamurin e Lëvizjes Perandorake Ruse (RIM), një organizatë paraushtarake e supremacisë së bardhë, të cilën SHBA e liston si terroriste, e mbështetur nga Moska.

Pjesa më e madhe e përmbajtjes ekstremiste, e publikuar në Telegram dhe platformën ruse VKontakte (VK), lidhet me një njësi të ekstremit të djathtë brenda grupit Wagner të quajtur Rusich, po ashtu të lidhura me komunitetet online pro-Kremlinit.

Drejtori ekzekutiv i Tech Against Terrorism, Adam Hadley tha se gjetjet e tyre tregojnë se forcat e mbështetura nga Rusia në Ukrainë, përfshirë grupin Wagner, janë “sigurisht të lidhura me organizatat e ekstremit të djathtë”.

“Duke pasur parasysh kërkesat absurde të Putinit për ‘denazifikimin’ e Ukrainës, ne sugjerojmë që ai së pari duhet të çrrënjosë neo-nazistët në radhët e tij përpara se të drejtojë gishtin te të tjerët”, shton Hadley, shkruan Guardian.

Wagner si një nga organizatat më sekrete nuk ekziston zyrtarisht në Rusi. Megjithatë, raportimet e fundit tregojnë se qindra anëtarë të saj po luftojnë në Ukrainë dhe po veprojnë me urdhra të Kremlinit për të vrarë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Gjithashtu, merret vesh se po bëhen përpjekje nga grupet private në Telegram për të rekrutuar një brigadë të re mercenarësh për të luftuar në Ukrainë. Së fundmi, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu njoftoi se 16 mijë luftëtarë nga Lindja e Mesme dhe Serbia kishin dalë vullnetarë për të luftuar me ushtrinë ruse në Ukrainë.

Një llogari në VK i kushtohet grupit të Rusich, i cili duket se vepron në Ukrainë. Logoja e këtij grupi paramilitar përmban një Svastikë sllave të njohur si Kolovrat.

Një tjetër postim në VK, liston Rusich si pjesë e një koalicioni të grupeve separatiste dhe milicive, duke përfshirë grupin e ekstremit të djathtë Uniteti Kombëtar Rus.

Telegraf transmeton se një imazh i shpërndarë tregon luftëtarë, me sa duket në Ukrainë, duke mbajtur një flamur Valknut, një simbol i përvetësuar zakonisht nga supremacistët e bardhë.

Është raportuar se njësive mercenare të rekrutuara për Wagner-in u jepen emra si “The Hawks”, ndoshta për të reduktuar reputacionin e grupit pas akuzave të përsëritura për shkelje të të drejtave të njeriut nga krimet e kryera në Siri dhe Libi.

Hulumtimi i Tech Against Terrorism zbuloi një kanal të njohur Telegram të lidhur me Wagnerin që ndante një imazh në maj të 2021-së të Kolovratit që dyshohet se është gërmuar në një shkëmb në Palmyra të Sirisë.

Wagner u identifikua për herë të parë në vitin 2014, kur mbështeti separatistët pro-rusë në konfliktin në lindje të Ukrainës. Grupi është në pronësi të Yevgeny Prigozhin, një nga aleatët më të ngushtë të Putinit, që ka kryer operacione të fshehta në të gjithë Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

Në një përpjekje për të kontrolluar narrativën e saj, Rusia së fundmi hapi një çështje penale kundër pronarit të Facebookut, Meta, duke e akuzuar atë si një organizatë ekstremiste. Kjo akuzë e prokurorëve rusë erdhi pasi gjiganti amerikan i teknologjisë lejoi përkohësisht përdorimin e termave të tillë si “vdekje pushtuesve rusë”.

Të ngjashme