Kosova e ka mbajtur konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Spanjën në “La Cartuja” të Sevillës.
Nesër në mbrëmje, Kosova e zhvillon ndeshjen kundër Spanjës në kuadër të kampanjës eliminatore për Kupën e Botës “Katar 2022”, shkruan Demokracia.com.
Në këtë konferencë u paraqitën përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe mesfushori Hekuran Kryeziu.
Një gazetar nga “AS” nuk e përmendi emrin e Kosovës derisa parashtronte pyetje, por që menaxheri i Kosovës, Bajram Shala e detyroi ta bëjë një gjë të tillë.
“Pyetje për trajnerin… a mendon se Luis Enrique do të bëjë ndryshime për ndeshjen ndaj Kosovës?”, ishte pyetja e gazetarit spanjoll.
Ndërkaq, Shala iu përgjigjë: “Pyetja ishte për trajnerin e…?”.
Gazetari spanjoll prapë vazhdoi: “Trajnerit…”.
Shala më tej tha: “Trajnerit të…? Sepse nuk e kemi parë emrin e Kosovës në mediat tuaja, kështu të sqarohet se për cilin trajner?”.
Gazetari përsërit: “Pyetja për trajnerin lidhur me Enriquen…”.
Shala: “Po, por trajnerin e kujt sepse nuk e kemi parë emrin e kombëtares sonë në gazetat e juaja”.
Gazetari: “Pyetja është për trajnerin!!!”.
Shala: “Të cilit ekip?”.
Gazetari: “Ahh, të Kosovës, më falni”. /Demokracia.com