Lajme
“Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë”, MKRS fton organizatat e profilizuara në fushat e historisë gojore
Demokracia
19:56 | 06 Janar 2023

Share:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë ftesë publike për organizatat joqeveritare për zbatimin e projektit me titullin “Konsultimi i të Mbijetuarve dhe Familjeve me Fëmijë të Vrarë gjatë Luftës 1998-1999 në Kosovë”.

Kjo ftesë është bërë në kuadër të realizimit të “Memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.

MKRS ka ftuar organizatat e profilizuara në fushat e historisë gojore, dokumentimin e përjetimeve të luftës dhe krijimin e arkivave të pasura, të aplikojnë me projekt propozim që adreson dhe përmbush objektivat e përgjithshme të projektit.

Njoftimi i plotë:

Ftesë publike për organizatat joqeveritare për implementimin e projektit me titullin “Konsultimi i të Mbijetuarve dhe Familjeve me Fëmijë të Vrarë gjatë Luftës 1998-1999 në Kosovë” mbi memorializimin e fëmijëve.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fton organizatat e profilizuara në fushat e historisë gojore, dokumentimin e përjetimeve të luftës dhe krijimin e arkivave të pasura, të aplikojnë me projekt propozim që adreson dhe përmbush objektivat e përgjithshme të projektit:

T’i konsultojmë të mbijetuarit dhe familjet me fëmijë të vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë mbi format e memorializimit të fëmijëve përmes një procesi me ndjeshmëri, gjithëpërfshirje, etikë dhe profesionalizëm.

Përmes historisë gojore të ruajmë tregimet dhe dokumentojmë përjetimet reale e të mbijetuarve, të dëshmitarëve dhe të familjarëve të fëmijëve që janë vrarë, janë zhdukur apo kanë vdekur si rezultat i luftës në Kosovë.

T’i shërbejmë kujtesës për fëmijët viktimë, pasurimit të historisë gojore të Kosovës dhe hartimit të tekstit narrativ që përshkruan dhe udhëzon memorializimin e fëmijëve.

Përmes kësaj thirrjeje dhe për implementimin e këtij projekti, do të përzgjedhet 1 (një) organizatë jo-qeveritare.

Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është 15 ditë pune dhe përfundon me datën 27 janar 2023, në ora 23.59.

Të ngjashme
Lajme • 31 Maj 2024