Lajme
Memli Krasniqi: Qeveria Kurti po e përmbys rendin ekonomik
Demokracia
17:00 | 15 Shkurt 2022

Share:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të Raportit të Indeksit Botëror të Lirisë Ekonomi, ku Kosova është zhvendosur në vendin e 86-të. Lideri i PDK-së ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti lidhur me këtë, ku ka thënë se kjo qeveri po e lëkund rendin demokratik në vend dhe për shkak të këtij stagnimi, të rinjtë kosovarë kanë filluar ta braktisin me të madhe Kosovën. “Fatkeqësisht, për shkak të këtij stagnimi, të rinjtë tanë kanë filluar ta braktisin me të madhe Kosovën. Ky është sinjal alarmues për të gjithë ne, e do të duhej të ishte alarm 24 orësh për qeverinë Kurti, e cila për çdo ditë po e çon Kosovën një hap më tutje drejt mjerimit e pasigurisë sociale”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Memli Krasniqit:

Nuk ka liri politike, pa liri ekonomike. Ky raport fondamental i një rendi demokratik për të cilin jemi përpjekur vazhdimisht, ka filluar të lëkundet me hapa radikal nga qeveria Kurti. Në vitin 2018, në vlerësimin e think-tankut të njohur e të respektuar ndërkombëtarisht me qendër në SHBA, Heritage Foundation, përkatësisht në Raportin e Indeksit Botëror të Lirisë Ekonomike, Republika e Kosovës rangohej në vendin e 56-të, duke lënë mbrapa shumë demokraci të zhvilluara, si Spanja, Sllovenia, Kroacia, Franca e të tjera.

Në vitin 2019, rangimi i Kosovës listohej në vendin e 51-të. Në vitin 2020, në vendin e 53-të, ndërsa në vitin 2021, në vendin e 58-të. Trendi i lëvizjes ishte dinamik, por ai nuk dilte jashtë parametrave të një shteti që krijonte klimë të mirëfilltë për ndërmarrësinë dhe lirinë ekonomike. Fatkeqësisht, Raporti i vitit 2022, Kosovën e nxjerr nga parametrat e lirisë ekonomike duke e zhvendosur në vendin e 86-të, pra plot 28 vende më keq, aty ku fillon të shënohet vija në mes demokracive dhe regjimeve politike.

Dhe këtë, për vetëm një vit qeverisjeje të pa vizion e pa agjendë zhvillimore të qeverisë Kurti. Se cili është trendi i qeverisjes dhe cilësia e qeverisjes së Kosovës sot për sot, më së miri e ilustron kjo përmbysje rapide e statusit të lirisë ekonomike. Për më tepër, kur dihet se në këto raporte, nuk pasqyrohet vetëm liria ekonomike si entitet i veçantë por edhe korrelacioni me faktorë substancial si gjendja e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies, ambientit, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror, stagnimi i Kosovës bëhet edhe më i qartë. Fatkeqësisht, për shkak të këtij stagnimi, të rinjtë tanë kanë filluar ta braktisin me të madhe Kosovën.

Ky është sinjal alarmues për të gjithë ne, e do të duhej të ishte alarm 24 orësh për qeverinë Kurti, e cila për çdo ditë po e çon Kosovën një hap më tutje drejt mjerimit e pasigurisë sociale.

Të ngjashme