Partia Demokratike e Kosovës do ta shqyrtojë sot propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin një qeverie unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, vitin që vjen.
Diskutimi, siç paralajmëroi mbrëmë kryetari Memli Krasniqi, do të bëhet në mbledhjen e rregullt të kryesisë së PDK-së.
Gazeta online Reporteri.net merr vesh se kryesia e PDK-së pritet që të mblidhet sot në ora 15:00. Pas mbledhjes, qëndrimi i partisë së dytë në vend, për propozimin e Lumir Abdixhikut, pritet të kumtohet përmes një komunikate për media.
Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, ka deklaruar mbrëmë për Reporteri.net se është informuar mbi këtë propozim dhe se vendimet për propozime të tilla merren në organet e partisë.
”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.