Lajme
Memli Krasniqi kritikon Qeverinë për injorim të punëtorëve karshi krizës financiare
Demokracia
12:58 | 01 Maj 2022

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punës.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke uruar punëtorët për ditën e 1 Majit, ka drejtuar kritika ndaj ekzekutivit, shkruan Demokracia.com.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se ky vit punëtorët e sektorit privat dhe atij publik i gjen në një krizë me shumë sfida, por që këto sfida edhe më shumë po i rëndon mosmiratimi i Ligjit të Pagave nga ana e qeverisë.

Tutje Krasniqi ka thënë se edhe rritja e pagës minimale e cila është bërë në mënyrë jo të dinjitetshme, nuk mund të përballojë shtrenjtimet e mëdha të çmimeve si pasojë e krizës dhe kjo është tregues i qartë që Qeveria nuk ka vizion zhvillimor për vendin, shkruan më tutje Demokracia.com.

“Pandemia dhe rritja e çmimeve të të gjitha produkteve, sot e kanë bërë më të vështirë jetën e familjeve kosovare. Prandaj, miratimi i ligjeve bazike për punëtorët dhe të drejtat e tyre, është minimumi që qeveria e Kosovës duhet të bëjë, ndërsa rritja e pagave konform krizës së madhe, është detyrim institucional”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjerash.

Postimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:

Të gjithë punëtorët e Kosovës pa dallim, nga bujku që bukën e gojës e fiton me djersën e ballit e deri tek mësuesit tanë që për shumë vite arsimuan breza të rinjsh pa asnjë kompensim, sot meritojnë urimet më të mira në Ditën Ndërkombëtare të Punës.

Megjithatë, 1 Maji i këtij viti, i ka gjetur punëtorët e sektorit privat dhe ata të sektorit publik në një krizë me shumë sfida dhe ende pa ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Mos miratimi i Ligjit të Pagave dhe rritja jodinjitoze e pagës minimale për të përballuar shtrenjtimet e mëdha të çmimeve, është tregues i qartë se qeveria aktuale nuk ka vizion zhvillimor për vendin.

Pandemia dhe rritja e çmimeve të të gjitha produkteve, sot e kanë bërë më të vështirë jetën e familjeve kosovare. Prandaj, miratimi i ligjeve bazike për punëtorët dhe të drejtat e tyre, është minimumi që qeveria e Kosovës duhet të bëjë, ndërsa rritja e pagave konform krizës së madhe, është detyrim institucional. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 29 Qershor 2024