Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani pranuan që të shkohet në zgjedhje të reja në veri të vendit.
Krasniqi në emisionin “Opinion” ka thënë se Kurti nuk mund të flasë në emër të dy kryetarëve të PDK-së në komunat veriore, përcjell Demokracia.com.
“Nuk është ndonjë befasi, sepse ajo që ka definuar z.Kurti në çdo hap të trajektores së tij politike, ka qenë një veprim i izoluar pa u konsultuar. Nuk befasohem që ai nuk konsultohet me z.Rama apo me z.Grubi, sepse ai nuk është konsultuar as me partnerët kryesorë të Kosovës. Z.Kurti nuk ka legjitimitet që të shkatërrojë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj nuk mund të fshihet pas numrave, sepse në jetën e përditshme ka një dështim drastik, në ekonomi, arsim. Veprimet e fundit kanë tejkaluar çdo limit përkundër që nuk janë të reja”, ka thënë ai.
Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën që po ndodh në veri të vendit, me serbët lokalë.
Në Zubin Potok dhe Zveçan kanë fituar 2 kryetarë nga radhët e PDK-së, për të cilët Krasniqi tha se po e ushtrojnë detyrën në ambiente të tjera.
“Kryetarët e PDK-së në Zubin Potok dhe Zveçan, duke pasur parasysh përshkallëzimin e situatës, kanë vazhduar punën në zyra të tjera komunale, por jo në zyrat e qytetit”.
Sa i përket propozimit për të ribërë zgjedhje të tjera në veri të Kosovës, Krasniqi ka thënë se duhet të respektohen ligjet dhe Kushtetuta, ndërsa theksoi se kryeministri Albin Kurti nuk mund të flasë për asnjë zgjidhje në emër të dy kryetarëve të PDK-së.
“Ka një mënyrë që duhet të respektohen ligjet për të pasur zgjedhje të reja. Shpallja e zgjedhjeve ka qenë pasojë e gabimeve të Albin Kurtit, shtyrja ka qenë antikushtetuese. Albin Kurti nuk mund të flasë në emër të dy kryetarëve që vijnë nga radhët e PDK-së”, shtoi ai.
Memli Krasniqi theksoi gjithashtu se për situatën që po ndodh në veri të vendit, partitë opozitare nuk kanë pasur asnjë konsultim me udhëheqësit më të lartë të Kosovës.
“Nuk ka pasur asnjë konsultim nga ana e udhëheqësve të shtetit. Kam qenë në komunikim direkt me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me përfaqësuesit e SHBA-së”, ka thënë Krasniqi.