Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, mbajti një fjalim në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili u zhvillua për herë të parë në Shqipëri. Ajo shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë që ka ky moment për vendin pritës dhe për të gjithë rajonin.
“Falënderoj Edin, jo sepse jetoj në një protektorat, por sepse më bëri të ndihesha shumë e re në videon që na u shfaq,” tha ajo me një ton miqësor, duke uruar gjithashtu kryeministrin shqiptar për rizgjedhjen e tij “tërësisht të papritur”.
Meloni theksoi bindjen e saj se Shqipëria i përket Evropës, jo vetëm për shkak të gjeografisë, por mbi të gjitha për shkak të historisë. “Shqipëria është Evropë njësoj si Italia, pavarësisht nëse je pjesë e një organizate apo jo,” u shpreh ajo, duke shtuar se gjithmonë buzëqesh kur dikush përpiqet të përcaktojë se kush është evropian.
Ajo e përshkroi Bashkimin Evropian si “dëshirën për ribashkimin e familjes evropiane, njësoj si gishtat e një dore”, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në projektin e Evropës së së ardhmes.
“Evropën e re në një botë të re nuk mund ta ndërtojmë pa Ballkanin Perëndimor,” përfundoi Meloni, duke i dhënë kështu një mbështetje të fortë integrimit evropian të rajonit.