Gazetari Lirim Mehmetaj raportoi dje ekskluzivisht për një rast të dyshuar korruptiv që përfshin Ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, i cili dyshohet se ka orkestruar një aferë miliona euroshe përmes një kontrate të errët me një biznes privat – një veprim të cilin gazetari e dëshmoi se është realizuar me aprovimin e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në një video-adresim në Facebook të dielën, Mehmetaj ka bërë publike në tërësi një kontratë në kundërshtim flagrant me ligjin për pronën publike, duke e konsideruar atë “një krim të strukturuar me pasoja katastrofale për financat e shtetit”. Vlera e dëmit: plot 60 milionë euro. Mehmetaj bëri të ditur se këtë kontratë e ka dorëzuar te organet kompetente dhe se me lëndën po merret prokurori Kujtim Munishi. Mehmetaj ka kërkuar transparencë në lidhje me këtë rast.
Video:
Kontrata në fjalë, e lidhur më 10 janar 2025, ka të bëjë me “Funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore”, dhe sipas Mehmetajt, i jep një kompanie private në shfrytëzim për 20 vjet një pronë publike — një afat që bie ndesh me kufizimet ligjore të përcaktuara në Nenin 17 të Ligjit për Punën Publike, i cili lejon dhënien me qira të pronës publike për jo më shumë se 15 vjet, dhe vetëm me vendim të Qeverisë, shpjegoi ai.
“Qikjo është një kontratë, kontratë publike ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’ e arritur më 10.01.2025. Befasi, kjo është kontratë e nënshkruar prej Faton Pecit dhe një kompanie private. Kam parë krime të ndryshme, por qesi niveli të krimit ku secili rresht i kontratës është krim më vete, unë kurrë nuk kam parë. Dëmi total është diku rreth 60 milionë euro.” – tha Mehmetaj.
“Zbatimi i kësaj kontrate do të fillojë nga dita e nënshkrimit dhe vlen për periudhën kohore 20 vite (2024 – 2044) me mundësi vazhdimi.” – thuhet mes tjerash në kontratën që lexoi Mehmetaj. Neni i kontratës dëshmon se Peci i ka dhënë kompanisë private objektin për përpunimin e nënprodukteve shtazore për periudhën kohore 20 vjet.
Duke iu referuar Ligjit për Pronën Publike, Mehmetaj shpjegoi se maksimumi i viteve që mund të jepet me qera është 15 vjet: “Ligji për Pronën Publike; Neni 17; Qiraja dhe këmbimi; pika 2: ‘Prona në pronësi të Republikës së Kosovës, përkatësisht e institucionit qendror ose prona e komunës, mund të jepet me qira deri në pesëmbëdhjetë (15) vite me vendim të Qeverisë, përkatësisht organit kompetent të komunës.’
“Pra, ligji po thotë që me vendim të Qeverisë mundesh me japë pronë publike vetëm 15 vjet. Qysh e shikuat nenin brenda kontratës, kontrata është për 20 vjet. Domethënë, po kuptohet, nuk ka nevojë me filozofu më tepër.” – shpjegoi Mehmetaj më tej.
E gjithë kjo manovër, siç shpjegon Mehmetaj, nuk u realizua pa miratimin e vetë Kurtit, i cili, në një vendim të prezantuar nga Mehmetaj, shihet të ketë dhënë dritën e gjelbër për shfrytëzimin e parcelës në komunën e Gllogocit – vetëm një ditë para nënshkrimit të kontratës.
“Ka plot njerëz që thonë Faton Peci është ka i bën këto, Albin Kurti nuk po e din. Befasi, me vendim të Albin Kurtit është bërë. Këqyre vendimin, këqyre nënshkrimin e Albin Kurtit, këqyre datën 9, menjëherë më datën 10 është bërë kontrata. Vendimi: Aprovohet dhënia në shfrytëzim e parcelës Stankovs, komuna e Gllogocit, në interesin publik për trajtimin e nënprodukteve shtazore. Pra, direkt shkelje e ligjit. Ligji kërkon më së shumti 15 vjet, përveç Kuvendit që mund të japë pronë me qira deri në 99 vjet. Faton Peci, bashkë me Albin Kurtin, e tejkalon ligjin, e jep për 20 vjet.”
Mehmetaj tha se posedon 97 dosje të tjera të natyrës së ngjashme, të cilat tashmë janë deponuar pranë Hetuesisë së Krimeve Ekonomike./Nacionale