Lajme
Mehaj kërkon nga BE dhe NATO vëmendje për të pamundësuar ndikimin e qarqeve ruso-serbe në rajon
Demokracia
12:47 | 05 Shkurt 2022

Share:

Ministria e Mbrojtjes është duke përcjellë me vëmendje maksimale zhvillimet e fundit dhe veprimet aktuale të Rusisë kundër Ukrainës, vendeve të krahut lindor të NATO-s, si dhe aktivitetet hibride që Rusia zhvillon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Armend Mehaj, i cili ka shkruar se kërkojnë vëmendje të shtuar nga autoritetet politike dhe ushtarake të NATO-s, që sipas tij të pamundësojnë ndikimin dhe influencën e qarqeve destabilizuese ruso –serbe në rajon, përcjell Demokracia.com.

“Aktivitetet e luftës hibride, në rajonin tonë, Rusia përmes Serbisë, i realizon në vazhdimësi me luftën politike me metoda jokonvencionale destabilizuese të ndërthurura me aktivitete asimetrike siç janë sulmet kibernetike dhe ato përmes lajmeve të rreme (fake news).

Prandaj, kërkojmë vëmendje të shtuar të autoriteteve politike dhe ushtarake të NATO-s përmes Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) në rajonin tonë, për të pamundësuar kështu ndikimin dhe influencën e qarqeve destabilizuese ruso –serbe të mbështetura edhe nga qarqet kineze në rajon.

Zhvillimet e shpeshta në kufirin Kosovë – Serbi dhe provokimet nga ushtria  serbe, i vlerësojmë kërcënim shumë serioz dhe duhet të adresohen fuqishëm politikisht nga Bashkimi Evropian dhe me veprime  e qëndrime konkrete nga NATO , respektivisht  Komanda e Forcës së Bashkuar në Napoli (JFCNP) përmes operacionit KFOR në Kosovë”, ka shkruar Mehaj.

Ai ka shtuar më tej se Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë NATO-s të udhëhequra nga SHBA, në interes të mbrojtjes së vlerave euroatlantike dhe  në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global./Demokracia.com/

Të ngjashme