Institucionet e shëndetësisë vazhdojnë të nënshkruajnë kontrata shumë të larta me kompaninë “Meditech”, e cila ka përfituar tenderë të mëdhenj nga institucionet në të kaluarën, ndonëse ka hasur në polemika dhe kritika për favorizime. Në tenderin e fundit, kompania u shpall fituese në “furnizimin me vaksina nga LBE për IKSHPK”, shkruan Demokracia.com.
Procedura e tenderit, e hapur që nga janari i këtij viti, është finalizuar vetëm së fundmi dhe kontrata ka vlefshmëri dyvjeçare.
Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Arben Vitia, do të lidhë kontratën me “Meditech” për dy nga tre lotet e tenderit:
- Loti 1 përmban vaksinën kundër difterisë, tetanozit, pertusisit (acelular) -DTaP, hepatit B(rDNA), poliomielitit-IPV (i inaktivizuar), i adsorbuar dhe Haemophilus influenzae tipi b (ikonjuguar), me një çmim prej 3,480,000.00 euro.
- Loti 2 përmban vaksinën kundër difterisë, tetanozit, pertusisit (acelular) – DTaP, poliomielitit-IPV (i inaktivizuari), i adsorbuar dhe Haemophilus influenzae tipi b (i konjuguar), me një çmim prej 1,970,000.00 euro.
Për lotin e tretë, është rekomanduar për kontratë një kompani nga Shqipëria, “IMED SH.P.K.” me pronar Irakli Mio, për furnizimin e vaksinave kundër gripit sezonal, në një shumë prej 578,000.00 euro”.
Po ashtu, sot është rekomanduar kjo kompani për kontratën në tre lote në një tender të SHSKUK për Furnizim me barna nga LE për nevojat e SHSKUK-së:
Loti 2: Stimulantë të eritropoezës në një vlerë prej 361,406.50 euro.
Loti 3: Methoxy polyethylene glycol-epoetin beta, në një vlerë prej 1,922,186.60 euro.
Loti 4: Tocilizumab në një vlerë prej 577,415.08 euro.
Para pak javeve, kjo kompani është shpallur fituese në tenderin “Furnizim me Barna nga Lista Esenciale për Nevojat e SHSKUK-së (159)”, duke siguruar tri kontratë në vlerë mbi 4.5 milionë euro.
Në këtë tender, i realizuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, “Meditech” është rekomanduar për tre lote kryesore:
- Lot 1: Pertuzumab + Trastuzumab 1200 mg 600 mg – 389,289.60 euro
- Lot 2: Pertuzumab + Trastuzumab 600 mg 600 mg – 3,571,619.25 euro
- Lot 3: Bevacizumab (origjinator) – 589,163.52 euro
Në të njëjtin tender, edhe kompania tjetër “GENE MEDICALS” SH.P.K është shpallur fituese për një shumë prej 107,740.10 euro.
Kompania “Meditech” ka marrë një numër të madh kontratash nga Ministria e Shëndetësisë në vitet e fundit. Vetëm në vitin 2020, kjo kompani ka përfituar mbi 12 milionë euro, ndërsa në 2021 rreth 4 milionë euro. Edhe në vitet 2023 dhe 2024, “Meditech” ka siguruar kontrata me vlera të mëdha.
Pronarët e kompanisë janë: Mikelina Rodiqi, Shkelzen Fetiu, Arianit Jakupi dhe Stak Staka.
Njëri prej tyre, Arianit Jakupi, mban edhe një pozicion në Këshillin Drejtues të Odës Farmaceutike të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit në vitin e kalaur kanë kritikuar përfshirjen e tij në procesin e hartimit të listës së barnave esenciale, ku sipas akuzave janë përfshirë edhe barna që distribuohen nga “Meditech”.
“Anëtari i Komitetit për Barnat Esenciale, Arianit Jakupi, ka futur në listë 15 lloje barnash të cilat distribuohen nga kompania ku ai është aksionar, Meditech”, kishte thënë deputeti Bekim Haxhiu. Haxhiu gjithashtu i kishte bërë thirrje hetuesisë lidhur me këtë çështje.
Gjatë një seance tjetër, Armend Zemaj, gjithashtu kishte kritikuar këtë situatë, duke thënë se janë futur 16 lloje barnash në listën esenciale.
“Kjo çështje duhet hetuar nga organet përkatëse”, ishte shprehur Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte komentuar se “është e rëndësishme që çdo dyshim të hetohet” në lidhje me këto çështje.
Në anën tjetër, tenderi për furnizim me insulina, i cili ishte bllokuar për mbi dy vite nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), në fund u lejua dhe vendimi i MSH-së për anulimin e tij u rrëzua përfundimisht. OSHP rekomandoi që furnizimi të bëhej nga një kompani, megjithëse nuk kishte autorizim marketingu sipas Ministrisë së Shëndetësisë. MSH nuk e pranoi këtë rekomandim dhe kryeministri Kurti propozoi që kryetarja e Bordit të OSHP-së, Kimete Berisha, të shkarkohej për këtë çështje. /Demokracia.com/