Lajme
Mediat e kontrolluara nga Vuçiqi hedhin vrer ndaj vendeve që votuan pro rezolutës për Srebrenicën
Demokracia
23:28 | 23 Maj 2024

Share:

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, duke e bërë 11 korrikun Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të këtij Gjenocidi. Për këtë rezolutë votuan 84 vende, 19 ishin kundër dhe 68 vende abstenuan.

Pikërisht numri i madh i vendeve të përmbajtura ishte arsyeja e mjaftueshme që tabloidet e afërta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të hedhin vrer për vendet që votuan pro rezolutës.

Në krye ishte Informer, i njohur veçanërisht për marrëdhëniet e ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin, i cili zgjodhi mesazhin “Serbët nuk janë gjenocidal” për ballinën e numrit të nesërm, së bashku me një foto të madhe të presidentit serb.

Natyrisht, të gjithë titujt janë shoqëruar me një foto të Aleksandër Vuçiqit të mbështjellë me flamurin serb.

Novosti zgjodhi fjalët “Humbje për Perëndimin”.

Korrieri ka shkruar “Fitore morale”, ndërsa Alo ka zgjedhur mesazhin “Blamçina: Dy të tretat e botës kundër rezolutës”.

“Vesti” zgjodhi titullin “Viktimat tona heshtin”, ndërsa Blic përdori thënien e Vuçiqit “Tashmë jam përkulur para viktimave dhe kam vendosur një lule në Srebrenicë”.

Titujt më të mirë vijnë nga gazetat nominale të opozitës. Kështu, Danas zgjodhi mesazhin “Rezoluta: Përgjegjësia për gjenocidin është individuale”, me një ilustrim interesant për Vuçiqin.

Edhe gazeta Nova ka pasur një ide të ngjashme si Blic, ku në ballinën e tyre shkruante “Vuçiq: Rezoluta nuk do të na sjellë ndryshime”.

Kujtojmë se 8372 persona janë vrarë vetëm gjatë disa ditëve të korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë. Numri i viktimave në Bosnje ka qenë shumë më i madh – mbi 100 mijë të vrarë.

Ndryshe, krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në vitin 2007.

Të ngjashme