Lajme
Mediat e huaja paralajmërojnë tensione në Ballkan: Kosova po i refuzon qeveritë perëndimore
Demokracia
18:50 | 14 Janar 2022

Share:

Kosova është bërë lajm në mediat më prestigjioze të botës pasi refuzoi qeveritë e shteteve të perëndimit, që misioni i OSBE-së të merret me grumbullimin e votave te qytetarët serbë të cilët do të votojnë për referendumit e 16 janarit.

Shtetet e QUINT-it me një deklaratë të përbashkët kanë reaguar ashpër pasi institucionet në Kosovë thanë se serbët mund të votojnë vetëm me postë ose në një zyrë ndërlidhëse, transmeton Demokracia.com.

Deklarata është përkrahur edhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatën e QUINT-it.

Media të njohura si “Daily Mail” e “ABC News” kanë publikuar artikuj rreth këtij zhvillimi, ku thuhet se Kosova po i refuzon kërkesat e shteteve perëndimore.

Sipas tyre, kjo mund të nxis tensione në Ballkanin Perëndimor, transmeton Demokracia.com.

“Kosova refuzoi të premten thirrjen e qeverive perëndimore për të lejuar minoritetin e saj etnik serb të votojë në një referendum të Serbisë fqinje, siç kishte bërë në zgjedhjet serbe deri më tani, gjë që mund të nxis tensione në pjesën e paqëndrueshme të Ballkanit”, thuhet në lajmet e publikuara nga mediat e huaja.

Ndërkohë, lidhur me çështjen e referendumit pritet që të ketë diskutim gjatë të shtunës mes deputetëve të Kosovës.

Kuvendi nga ora 14:00 do të fillojë seancën e jashtëzakonshme me vetëm një pikë në rendin e ditës.

Kërkesa për seancë është bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u informua për qëndrimet e QUINT-it në një takim të premten me ambasadorët e këtyre shteteve, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme