Mediat botërore i kanë dhënë jehonë deklaratës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se procesi gjyqësor i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po merr shumë kohë.
Media të njohura si “Associated Press”, “Washington Post” dhe “Abc News” kanë raportuar për vizitën e Konjufcës në Hagë, përcjell Demokracia.com.
Këto media kanë cituar deklaratën e Konjufcës, i cili ka thënë se procesi po merr shumë kohë dhe Gjykata Speciale po i shkel të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ata kanë të drejtë që të gjykohen brenda kornizës kohore më të arsyeshme të mundshme. Këtë nuk po e shohim në Gjykatën Speciale”, ka thënë Konjufca.
Këto media, po ashtu, kanë theksuar se Konjufca është lideri i parë i lartë kosovar që viziton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimi dhe të tjerët. /Demokracia.com/
Një vizitë në Hagë gjatë muajit të kaluar e pati edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u takua me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës kishte zhvilluar vizitë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu por atë nuk kishin pranuar ta takojnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 dhe procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka filluar.
Gjykata Speciale pretendon se ata kanë kryer krime lufte, ndërsa në deklarimet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm./Demokracia.com/