Lajme
Me Tajlandën po shqyrtohen mundësitë që kosovarët të udhëtojnë pa viza atje
Demokracia
15:00 | 02 Korrik 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani javën që shkoi ka vizituar shtetin e Tajlandës dhe u takua me liderët shtetërorë atje. Në një intervistë dhënë mediumit “Bangkok Post”, shefja e shtetit ka deklaruar se janë duke u diskutuar hapat e ardhshëm që Tajlanda t’i heqë vizat për kosovarët.

“Ne po diskutojmë që ta heqim regjimin e vizave që kosovarët ta vizitojnë Tajlandën pa pasur nevojë të pajisen me vizë dhe tajlandezët mund ta vizitojnë Kosovën dhe rajonin tonë në Evropën juglindore pa viza. Kjo do të ishte një marrëveshje dypalëshe që do të mundësonte më shumë bashkëpunim dhe vizita nga tajlandezët, të cilët do të fitonin më shumë njohuri për Kosovën dhe anasjelltas”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova do të ishte destinacion ideal për bizneset tajlandeze që të investojnë.

“Potenciali jonë njerëzor është numër një sepse jo vetëm që jemi të rinjë por jemi të aftë për teknologjinë, shumëgjuhësh, të kualifikuar dhe të edukuar”, është shprehur Osmani.

Të ngjashme