Lajme
Më shumë se një muaj tensione në veri, shteti i kualifikon si terrorizëm edhe incidentet e fundit
Demokracia
15:14 | 28 Qershor 2023

Share:

Që nga 25 maji veriu nuk po gjen qetësi. Atje janë regjistruar një mori incidentesh, si sulme ndaj KFOR, Policisë dhe arrestime të serbëve që janë të përfshirë në to. Po ashtu një numër i konsiderueshëm i veturave zyrtare policore janë dëmtuar. Përveç veturave zyrtare sulme ka pasur edhe ndaj objekteve, përfshirë edhe atë të komunës së Mitrovicës së Veriut. nga Qeveria dhe Kryetari i kësaj komune Erden Atiq.

Na sulmi me granatë dorë në oborrin e komunës së Mitrovicës së Veriut u dëmtuan materiale dy veturave të Policisë së Kosovës.

Ky veprim, autorët e të cilit nuk dihen, u cilësua si sulm terrorist nga Ministria e Punëve të Brendshme e nga kryetari i komunës Erden Atiq.

Edhe policia e inicioi rastin si :kryerja e veprës terroriste”.

“Rr. Çlirimi, Mitrovicë Veri. Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit, është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë. Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”. Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

E nga MPB-ja thanë se këto sulme janë duke u bërë nga Serbia me qëllim të eskalimit të situatës në vend.

“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, kanë thënë nga MPB.

Edhe kryetari Atiq kërkoi nga organet e rendit që ta hetojnë rastin, teksa tha se sulmi është terrorist.

“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar Atiq në një postim në “Facebook”.

Çfarë ndodhi për më shumë se një muaj në veri?

Gjithçka nisi kur kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe e morën detyrën. Serbët e pakënaqur vërshuan rrugëve të komunave me shumicë serbe për të kundërshtuar marrjen e detyrave nga kryetarët shqiptarë.
Menjëherë filluan sulmet ndaj zyrtarëve policorë, forcave të KFOR-it e mediave.

Tre automjete të EULEX-it u dëmtuan më 26 maj, nga protestuesit serbë.

Po këtë ditë u dogj tërësisht një automjet i PK-së, teksa u dëmtuan 3 automjete të njësisë speciale.

Dëme materiale pati edhe në veturat e mediave.

Me datë 30 maj në afërsi të komunës së Zveçanit u hodh një mjet shpërthyes, e që fatmirësisht nuk pati të lënduar e as dëme materiale.

Përveç dëmeve materiale gjatë kësaj kohe pati edhe zyrtarë policor të lënduar. Vetëm me 26 maj u lënduan pesë zyrtarë policor.

Ndërkaq, mbi 80 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan po atë ditë pas përleshjes me protestuesit serbë.
E të gjitha këto sulme u cilësuan si terroriste nga zyrtarët.

Gjatë kësaj situate të tensionuar në Zveçan u gjet një veturë me targa të Beogradit në afërsi të objektit të komunës. Sipas policisë në të janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

“Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake. Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Të ngjashme