Lajme
Me shkrim dhe gojë| Zyrat e Osmanit e Kurtit shpallin tenderë të njëjtë, japin rreth 150 mijë euro për përkthime
Demokracia
13:49 | 08 Gusht 2022

Share:

Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit në të njëjtën kohë kanë shpallur tenderë për përkthime me shkrim dhe gojë. Kryerja e këtyre punëve do t’i kushtojë dy institucioneve afro 150 mijë euro.

Vjosa Osmanit e Albin Kurtit shpeshherë u del në shesh inati dhe mos-koordinimi për disa çështje të ndryshme.

Por, çuditërisht apo rastësisht, Presidenca dhe Kryeministria kanë shpallur tenderë për përkthime me shkrim dhe gojë në të njëjtën kohë, shkruan Demokracia.com.

Madje edhe shërbimet dhe kërkesat i kanë afërisht të ngjashme, veçse zyra e Albin Kurtit ka vendosur të shpenzojë më shumë para sesa zyra e Vjosa Osmanit.

Në tenderin e shpallur nga Kryeministria është treguar se do të shpenzohen 120 mijë euro në përkthime për 36 muaj.

“Shërbime të përkthimit me shkrim, me gojë si dhe shërbime të lekturës. Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë: në muaj 36. Vlera e parashikuar e kontratës: 120 000,00 Tre (3) lloje shërbimesh”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Siç është treguar në dosjen e tenderit, shërbimet e përkthimit do të jenë për pesë gjuhë dhe parashihen të jenë 17 mijë faqe.

Lektorimi i 6 mijë faqeve në disa gjuhë dhe përkthime në pesë gjuhë për 900 orë.

Kurse, në tenderin që është shpallur nga Zyra e Presidentes është treguar se shërbimet e përkthimeve do të kushtojnë 25 mijë euro.

Edhe zyra e Osmanit ka treguar se përkthimi do të bëhet në disa gjuhë të ndryshme.

“Shërbime të përkthimeve, për nevojat e ZPRK-ës. Vlera e parashikuar e kontratës: 25 000,00 Shërbime të përkthimeve, për nevojat e ZPRK-ës 1 Serbisht 200.000 fjalë 2. Anglisht 200.000 fjalë 3. Gjermanisht 50.000 fjalë 4. Frengjisht 50.000 fjalë 5. Turqisht 5.000 fjalë PËRKTHIMI SIMULTAN 6. Serbisht 250 orë 7. Anglisht 200 orë  8. Gjermanisht 20 orë 9. Frengjisht 20 orë 10. Turqisht 50 orë 11. Gjuha rome 10 orë”.

Po ashtu është paraparë edhe lekturimi i disa faqeve në gjuhë shqipe, serbisht dhe anglisht.

“Lekturimi 12. Shqip 50 faqe 13. Serbisht 50 faqe . 14. Anglisht 50 faqe TRANSKRIPTIMI 15. Serbisht. 50 faqe 16. Anglisht 50 faqe 17. Serbisht 10 faqe 18. Anglisht 10 faqe”.

Zyra e Presidentes ka treguar se afati i fundit për pranim të tenderëve/aplikacioneve do të jetë data 19.08.2022. Kurse, Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se afati i fundit për pranim të tenderëve/aplikacioneve është data 29.08.2022. /Demokracia.com/

Të ngjashme