Sport
Me rezultate identike mbyllen dy përballjet në Gjilan e Lipjan
Demokracia
14:57 | 19 Shkurt 2022

Share:

Kanë përfunduar dy ndeshjet hapëse të xhiros së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Kryendeshja e javës ndërmjet Dritës dhe Llapit është mbyllur baras 1:1 në stadiumin e qytetit në Gjilan, raporton Demokracia.com.

Pjesa e parë e sfidës u mbyll 0:0. Megjithatë, heshtjen në Gjilan e theu Valmir Veliu në minutën e 50-të kur kaloi Llapin në avantazh.

Gjilanasit e gjetën barazimin vetëm në minutën e 78-të kur nga penalltia u tregua i saktë qendërmbrojtësi, Ardian Cuculi.

Ky barazim e mban ende Dritën lidere në tabelë me 38 pikë, dy më pak se Ballkani e Gjilani që takimet i luajnë të dielën. Llapi me këtë barazim shkon në kuotën e 33 pikëve në vendin e katërt.

Me rezultat identik të njëjtë është mbyllur edhe takimi tjetër që u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Ulpiana edhe Malisheva u pajtuan me nga një pikë në duelin që përfundoi 1:1.

Lipjanasit ishin të parët që gjetën rrugën e golit përmes Marclei që shënoi nga 11-metërshi i penalltisë.

Tre minuta pa përfunduar koha e rregullt e 45 minutave të para në skenë doli anësori, Xhevdet Shabani që barazoi shifrat dhe njëkohësit realizoi golin që në fund doli të ishte epilogu përfundimtar.

Ulpiana me këtë barazim ngritet në pozitën e 8-të me 19 pikë, kurse Malisheva vazhdon të jetë e 7-ta me 23 pikë. /Demokracia.com/

Të ngjashme