Lajme
Me nderime të larta u varros ish-veterani i luftës “Komandant Ftyra”
Demokracia
19:17 | 28 Prill 2025

Share:

Sot, me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, u zhvillua ceremonia e varrimit të heroit dhe ish-veteranit të luftës, Naser Shala, i njohur me nofkën e luftës “Komandant Ftyra”.

Naser Shala ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një kontribuues i dalluar në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit të vendit.

Përkushtimi i tij në luftën çlirimtare dhe puna e palodhur pas luftës në institucionet shtetërore janë shembuj të ndritshëm të atdhedashurisë dhe përkushtimit qytetar.

Ceremonitë mortore nisën me homazhe në sallën e sportit të Banjës, ku shumë bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë bënë nderimet e fundit pranë arkivolit të tij. Në mesin e pjesëmarrësve ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, strukturave komunale, si dhe personalitete të tjera nga jeta publike në trojet shqiptare.

Në mbledhjen komemorative të mbajtur pas homazheve, u ndanë kujtime dhe vlerësime për jetën dhe veprimtarinë e “Komandant Ftyrës”.

Fjalime mbajtën Fatmir Limaj, komandant Çeliku dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës,  Metush Kryeziu, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë; dhe Fatmir Shurdhaj, në emër të familjes dhe banorëve të fshatit Banjë.

Në këto fjalime, u vlerësua lart jeta dhe sakrifica e Naser Shalës, si ushtar i celulave të para të njësisë “Çeliku”, si organizator i palodhur i strukturave të rezistencës dhe si shërbyes shembullor në institucionet shtetërore të Kosovës.

Në emër të të gjithë bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, u shprehën ngushëllime të sinqerta familjes Shala, me mesazhin që të jenë krenarë për jetën dhe veprën e të ndjerit, i cili la pas gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të Kosovës.

“Ne ndajmë dhimbjen tuaj për këtë humbje të madhe, por krenaria për jetën dhe veprat e Naserit do të na udhëheqë përherë,” u theksua ndër të tjera në fjalimet përshëndetëse.

Ceremonia përfundoi në varrezat e fshatit Banjë, ku me nderime ushtarake dhe rite fetare, Naser Shala – Komandant Ftyra, u përcoll për në banesën e fundit, duke lënë pas një trashëgimi krenare për brezat që vijnë.

Të ngjashme