Lajme
Me më pak se dy euro në ditë
Demokracia
21:48 | 03 Janar 2024

Share:

Zhdukja e varfërisë ishte njëri nga premtimet elektorale të Albin Kurtit. Ky premtim ishte përfshirë edhe në programin qeverisës të tij. Por shkalla e varfërisë në Kosovë vazhdon të mbetet e lartë sipas Raportit të UNDP-së për vitin 2023. Në këtë raport thuhet se 10% e ekonomive familjare janë dukshëm më të varfra në mes të viteve 2021 dhe 2023 dhe se kjo përqindje e familjeve jetojnë me 1.85 euro në ditë

Vetëm 130 euro në muaj ka në dispozicion familja 4-anëtarëshe Veliu nga një fshat i Komunës së Ferizajt. Kryefamiljari Zeqir Veliu, që është njëri nga mijëra të tjerë të kësaj kategorie sociale në Kosovë, thotë se është në hall jo vetëm nga shuma që merr, por edhe nga zhvleftësimi i saj.

“Me 130 euro a me marrë harç për veti, a me marrë dru.., fatura me vjen 50 euro. Nuk e di çka u ba, kurrë nuk më ka ardhë kështu… Kush po ka mundësi me më ndihmu po më ndihmon, përndryshe s’mundem me ia dal me 130 euro”, ka thënë Veliu.

Vështirësi tjetër ai përmend pamundësinë për të gjetur punë që i përshtatet, meqë vuan nga problemet shëndetësore. E quan veten me fat që ka të paktën një kulm mbi kokë.

“Shtëpia është e vëllait, të cilën ma ka lënë ai pas vdekjes së tij. Shtëpinë ma ka lënë mua, sepse nuk kam pasur mundësi të ndërtoj një shtëpi, sepse ai e ka ditë që unë nuk kam mundësi dhe kushte të bëj një gjë të tillë. Këtë shtëpi e ka ndërtuar shoqata ‘Feniks’ ”, ka treguar ai.

Si rasti i familjes Veliu që jetojnë me vetëm 130 euro në muaj, në Kosovë janë edhe 20.486 familje të tjera. Kjo shifër e publikuar në tetor të vitit 2023 është më e ulët se periudha e njëjtë e një viti më parë, ku në asistencë sociale ishin të regjistruara 23.661 familje.

Por ndryshimi i statistikave mes dy periudhave, sipas ligjëruesit të politikave sociale, Artan Mustafa, nuk ka ndodhur për shkak të uljes së varfërisë në Kosovë.

“Arsyeja që në mënyrë të vazhdueshme ka rënie të pjesëmarrjes në ndihmën sociale dhe mbulueshmërisë është fakti që kriteret për ndihmën sociale janë vendosur për kriterin e pasluftës në Kosovë dhe ato kanë mbetur të parifreskuara. Fatkeqësisht tash ka një reformë që është nisur prej Qeverisë së Kosovës, mirëpo fatkeqësisht ajo bëhet me një marrëveshje borxhi ndërkombëtar me Bankën Botërore”, ka thënë ai.

Afro 10 për qind e familjeve në Kosovë jetojnë me 1.85 euro në ditë 

Shkalla e varfërisë në Kosovë vazhdon të mbetet e lartë, sipas Raportit të UNDP-së për vitin 2023. Në këtë raport thuhet se 10% e ekonomive familjare janë dukshëm më të varfra në mes të viteve 2021 dhe 2023, dhe se kjo përqindje e familjeve jetojnë me 1.85 euro në ditë.

“Duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%, krahasuar me 17.6% në 2022 dhe 14.5% në 2021. Me fjalë të tjera, përqindja e dhënë e familjeve për secilin vit bie nën pragun e varfërisë prej 1.85 euro në ditë”, thuhet në Raportin e UNDP-së.
Shkalla e varfërisë prej 16% për këtë vit është vetëm 2 për qind më e ulët sesa ajo e vitit 2017, ku afërsisht 18% e popullsisë jetonte nën kufirin e varfërisë, e cila ishte 1.85 euro në ditë ashtu sikur edhe këtë vit.

E shifrat e varfërisë të UNDP-së, sipas Artan Mustafës, ligjërues i politikave sociale, nuk e tregojnë shkallën e vërtetë të varfërisë në Kosovë.

“Edhe me indikatorët që i ka nxjerrë Eurostati për Kosovën, varfëria është 27%. Së paku 27% e popullatës së Kosovës jeton nën varfëri, nën 60 % të mesatares së të ardhurave familjare. Ajo popullatë përballet me vështirësi dhe me dallime të mëdha sa u përket të ardhurave”, ka theksuar Mustafa.

Sipas Raporti të UNDP-së, të hyrat e ekonomive familjare kanë mbetur të pandryshuara gjatë viteve 2021-2023, derisa shpenzimet për nevojat bazë janë rritur gjatë këtyre tre vjetëve.

Qytetarët në vitin 2023 kanë rritur shpenzimet e tyre për gjërat ushqimore. Në vitin 2021, 39.4% e ekonomive familjare shqiptare të Kosovës kanë raportuar se kanë shpenzuar 200 euro ose më shumë për ushqime. Kjo përqindje u rrit në 48.9% në vitin 2022, dhe u rrit më tej në 60.2% në vitin 2023, bëhet e ditur në Raportin e UNDP-së.

Zhdukja e varfërisë, premtim i Qeverisë Kurti 

Zhdukja e varfërisë ishte njëri nga premtimet elektorale të Albin Kurtit. Ky premtim ishte përfshirë edhe në programin qeverisës të tij.

“Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojmë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore”, ishin fjalitë e kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë me 7 maj 2021.

Që nga koha e ardhjes në detyrë, Qeveria ka ndërmarrë disa hapa për t’iu ndihmuar familjeve me asistencë sociale. Në vitin 2022, Ministria e  Financave pati lansuar skemën

“Qeveria për familje”, target i së cilës, sipas ministrit Hekura Murati, janë familjet në nevojë dhe mundësia që ato të kenë të paktën një anëtar të punësuar.
Përmes kësaj skeme Qeveria subvencionoi bizneset deri në 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë, të punësuarit nga familjet në nevojë. Por nga kjo skemë e Qeverisë nuk përfituan të gjitha familjet me asistencë sociale. Me disa prej të cilave ka kontaktuar KOHA, kanë thënë se ata nuk kanë përfituar nga një gjë e tillë për shkak se nuk kanë qenë të informuar.

“Jo, nuk kam provuar të aplikoj për skemën e Qeverisë, sepse nuk kam qenë i informuar”, ka thënë Zeqir Veliu, nga Ferizaj.

E më 6 dhjetor të këtij viti Qeveria ka ndarë një subvencion për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale, ku një familje 4-anëtarëshe do të përfitonte 240 euro. Por këto subvencione nuk u shpenzuan vetëm për blerjeve të druve.

Zeqir Veliu ka thënë se është detyruar që me ato para të blejë edhe gjëra ushqimore, të paguajë edhe fatura të cilat tashmë i janë grumbulluar.

E hapat dhe punën e Qeverisë në drejtimin e luftimit të varfërisë nuk po e cilëson si të duhur Artan Mustafa.

“Një mangësi në politikat e Vetëvendosjes sa i takon varfërisë së vazhdueshme sidomos në Qeverinë Kurti 2 më duket se është fakti që shpesh politikat e varfërisë tentojnë të targetojnë të vendosin kritere të vështira të kualifikimit etj. Qasja targetuese nuk është një qasje që e ndjekin partitë sociale demokrate. Në shoqërinë që e kanë një sistem demokratik të shtetit të mirëqenies ndihma ndaj të varfërve është më pak e dukshme, jo sepse varfëria nuk është në një prej qendrave të interesit për të luftuar nga ky shtet i mirëqenies, po për shkak se rrugët indirekte janë më efektive për të luftuar  varfërinë”, ka thënë Mustafa, ligjërues i politikave sociale.

Por për të luftuar varfërinë e cila po vazhdon të mbetet e lartë në Kosovë, UNDP-ja ka dhënë disa rekomandime. Sipas tyre, Qeveria duhet të zbatojë reformat e tregut të punës dhe të ofrojë mbështetje ekonomike, të rregullojë ndihmat sociale dhe të zgjerohet mbulimi, të rritë pagën minimale, të rritë përfitimet për fëmijët, të zbatojë politikat e tregut aktiv të punës, të forcojë mbikëqyrje të ndryshimeve të çmimeve, e disa pika të tjera.

Të ngjashme