Lajme
Me Kurtin i qeshur, me Vuçiqin nuk këqyren në sy: Mesazhet e “heshtura” që Lajçak i përcolli para takimit në Ohër
Demokracia
11:00 | 15 Mars 2023

Share:

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak javën e fundit ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Serbi ku është takuar me krerët institucionalë dhe politikanë opozitarë.

Këto vizita të Lajçak në Kosovë dhe Serbi, shkojnë në funksion të përgatitjes së takimit të radhës së nivelit të lartë midis dy vendeve që do të mbahet më 18 mars në Ohër ku pritet të diskutohet Plani i Zbatimit i Propozimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Paparaci.

Lajçak, pas të gjitha takimeve, i njoftoi ato me fjalë kyçe në rrjetin e tij Twitter, por sigurisht, u vërejtën dallime edhe në përshkrimin takimeve, edhe të diskutimeve, por gjithashtu kishte edhe detaje të tjera të heshtura rreth tyre.

Fillimisht, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Miroslav Lajçak u shpreh se zhvilloi një takim konstruktiv e të dobishëm për pikëpamjen e Kosovës për modalitetet e Zbatimit.

Ai e konsideroi hap të rëndësishëm përgatitor takimin me Kurtin, në favor të takimit Kosovë – Serbi në Ohër më 18 mars.

“Pata një takim konstruktiv dhe të dobishëm me Kryeministrin Albin Kurti për pikëpamjen e Kosovës për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes së BE-së të 27 shkurtit. Ky ishte një hap i rëndësishëm përgatitor përpara takimit të dialogut në Ohër më 18 mars”, shkroi ai, pas një takimi me kryeministrin Kurti në Prishtinë.

Ajo që bie në sy, e që dallon nga takimi me Vuçiq është mënyra se si Lajçak e përshkruan takimin, bisedimet me Vuçiq, por edhe fotografia që ka zgjedhur të postojë në profilin e tij në Twitter.

Me Vuçiq iu deshën dy takime. Kjo është e para. Së dyti, Lajçak kur lajmëroi për takimin e dytë e njoftoi atë në një komunikim më të ftohtë duke thënë shkurtimisht se “përfundoi takimin” dhe se kishte dëgjuar komentet e Vuçiq për implementimin e Aneksit të marrëveshjes.

Ai nuk i dha asnjë cilësim takimit, as si konstruktiv e as si të dobishëm. Madje, zgjodhi të postonte një fotografi ku fytyrat e të dy biseduesve nuk ishin as të buzëqeshura e as nuk shprehin ndonjë optimizëm.

“Përfundova takimin e dytë me presidentin Vuçiq për të dëgjuar komentet e tij mbi Aneksin e Zbatimit dhe ecjen përpara në Marrëveshjen e BE-së. Pasi kemi marrë reagimet nga të dyja palët, tani ne do të finalizojmë përgatitjet tona për takimin e së shtunës në Ohër.”, shkroi Lajçak.

Ajo që dallon në këto dy takime lidhet me faktin se përveç deklarimeve të tij, Lajçak shihet shumë më i relaksuar në takimin e tij me Kurtin sesa në takimin e tij me Vuçiq dhe kjo mbase ka të bëjë edhe me qëndrimet e të dy liderëve rreth propozimit.

Në njërën anë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për nënshkrimin e Propozimit Evropian qysh në takimin e 27 shkurtit dhe është ende i gatshëm për një gjë të tillë, ndërsa Vuçiq përveç se nuk kishte të njëjtën gatishmëri në datën e lartcekur, vazhdimisht që nga ajo ditë i ka bërë ‘lajka’ marrëveshjes.

Epilogu i bisedimeve merr formë të shtunën, marrë parasysh se për vizitë në të dy vendet këto ditë do të qëndrojë edhe Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Të ngjashme