Lajme
“Me këtë trend të ikjes, Kosova rrezikon të mbetët me më pak se një milion banorë”
Demokracia
17:28 | 19 Prill 2023

Share:

Sociologu, Leutrim Sahiti ka folur rreth vendimit të liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian për Kosovën.

Sahiti, ka thënë për Kanal 10 se shqetësimi kryesor i shtetit të Kosovës tani do duhej të ishte migrimi i popullsisë sepse me këtë trend, shumë shpejt vendi ynë do të mbetët më më pak se 1 milion banorë.

“Pas këtij vendimi, shqetësimi më i madh i imi dhe i shtetit të Kosovës do duhej të ishte se Kosova rrezikon që të mbetët më më pak se 1 milion banorë. Shteti i Kosovës të merret me seriozisht me të rinjtë sepse është alarmante. Sepse statistikat janë alarmante dhe me këtë trend që kemi Kosova rrezikon të mbetet vetëm me pleq dhe varreza, siç edhe tha qytetari.”, ka thënë ai.

Tutje, sociologu ka renditur edhe anët pozitive të liberalizimit të vizave në aspektin ekonomik.

“Lëvizja e lirë do të ketë ndikime, mos të them pasoja, në disa rrafshe. Ndikimi do të jetë edhe në ekonomi sepse të rinjtë do të kenë mundësi që të lidhen me biznese atje, bizneset e reja do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me kompanitë e ndryshme atje që të shkëmbejnë mallra. Ndikim tjetër do të jetë edhe emancipimi i shoqërisë, sepse kategori të ndryshme të shoqërisë do të kenë mundësi të shohin më shumë se sa që kanë parë deri më tani në Kosovë dhe është mundësi e mirë e vetëdijesimit shoqëror që të shohin se çfarë është qytetërimi real.”, ka thënë ai.

Por, me shumë skeptizëm, Sahiti e sheh mënyrën se si Kosova do ta menaxhojë këtë situatë, duke treguar edhe rreziqet me të cilat mund të përballet rinia kosovare në rast të keqmenaxhimit.

“Kjo do të ketë ndikim edhe negative sepse të rinjtë që dalin jashtë mund të jenë edhe viktima të trafikimit dhe narkotikëve. Pra aq sa kemi të mira do të kemi edhe të këqija, tërësisht varet se si shteti do ta menaxhoj këtë situatë dhe sa arrijnë që të krijojnë kushte për rininë në mënyrë që at ëndrrat t’i realizojnë këtu.”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme