Zyrtari qeveritar që me gjuhë të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI kishte bërë thirrje për vrasje dhe përdhunim të personave nga ky komunitet, me avancim shumë të shpejtë është emëruar zëvendësues i sekretarit në institucionin kryesor të kulturës në Kosovë, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Prej zyrtarit të arkivit në MD, Xheladin Krasniqi ishte transferuar në pozitën e Zyrtarit të Prokurimit në MKRS, ku njihet për miqësinë me ministrin Hajrulla Çeku. Nga kjo pozitë u avancua në Zëvendësues të Drejtorit të Departamentit për të Drejtën e Autorit dhe menjëherë u emërua Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Krasniqi përveç avancimit në disa nivele shumë shpejtë, si zëvendësues i sekretarit u bë në kundërshtim me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.
Sipas ligjit, Sekretari i Përgjithshëm emërohet, në rast mungese, zëvendësohet nga drejtori i një prej departamenteve të ministrisë. i caktuar me shkrim nga vetë Sekretari. Në rast pamundësie shëndetësore, drejtori i departamentit që zëvendëson Sekretarin e Përgjithshëm caktohet me shkrim nga ministri. Xheladin Krasniqi e kishte të pamundur që të bëhej zëvendësues i sekretarit, pasi që ai nuk ishte as drejtor. Por, në Qeverinë Kurti kjo nuk prish shumë punë dhe zgjidhjen atij ia bëri shumë shpejtë ministri Hajrulla Çeku, duke e bërë prej zyrtarit, zëvendësues të drejtorit dhe menjëherë edhe zëvendësues të sekretarit.
Ndryshe, Krasniqi ishte kritikuar ashpër për shkak të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, pasi kishte bërë thirrje për vrasje dhe përdhunim të personave nga ky komunitet.
“Uuuuu çfarë degjenerimi i skajshëm. E shpat e bi bre. Mir ishkon pra se me ju hjek koken me ja u rras shpaten ne b****”, kishte deklaruar Krasniqi, deklaratë kjo që kishte shkaktuar reagime të shumta.
Kjo deklaratë publike e Krasniqit ishte cilësuar si nxitje dhe përhapje e urrejtjes ndaj personave LGBTI dhe si e tillë është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës. /Demokracia.com/