Lajme
“Me Durrësin merremi vet”, beteja e Ridvan Muharremit me Ministrinë për grurin që s’erdhi- çfarë tha avokati i tij?
Demokracia
16:15 | 23 Gusht 2023

Share:

Biznesmeni kosovar, Ridvan Muharremi, ka qenë një nga të arrestuarit gjatë aksionit të Prokurorisë dhe Policisë javën e kaluar për çështjen e rezervave shtetërore. Muharremi i cili në opinion është portretizuar si njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti për shkak të vizitave të shpeshta të këtij të fundit në restorantin “Bukë e Zemër”, ndodhet në paraburgim dhe dyshohet për veprën penale të dhënies së ndihmës për Irfan Lipovicën dhe Hafiz Garën në keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara (zyrtarë të MINT) i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

Por si erdhi deri tek angazhimi i Ridvan Muharremit për ta ndihmuar shtetin e Kosovës për të siguruar rezervat shtetërore dhe ku u thye qerrja.

Avokati i Muharremit, Mahmut Halimi, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka treguar se si klienti i tij në fillim të vitit 2022 kishte pranuar një telefonatë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e ku i ishte kërkuar që të shkojë në MINT, meqë atje do të merrte vesh se për çfarë po e kërkojnë.

Halimi ka thënë se pasi Ridvan Muharremi kishte arritur në objektin e MINT, në recepsion e kishin drejtuar për në zyrën e ministres, Rozeta Hajdari, e cila ishte nën shoqërinë e këshilltarit të saj dhe dy zyrtarë të tjerë, që avokati Halimi dyshon se kanë qenë Irfan Lipovica e Hafiz Gara.

Ministrja Rozeta Hajdari aty i kishte kërkuar ndihmë Muharremit për të ndihmuar në gjetjen e një tregtari në Turqi për të blerë grurë, meqë situata ishte e jashtëzakonshme të Turqia vetëm se kishte vendosur embargo.

Avokati Halimi tutje ka treguar se Muharremi përmes një shoku të tij turk që ishte në Prishtinë për një kohë më shumë se një vjeçare, kishte arritur të gjente një tregtar në Turqi, për të blerë sasinë prej 10 mijë tonëve grurë për rezerva shtetërore të Kosovës.

Në këtë intervistë në FRONTAL të T7, avokati i Ridvan Muharremit ka thënë se ishte arritur me sukses që të hiqej embargoja vetëm për Kosovën për një periudhë të shkurtër tre-katër ditore dhe kjo kohë ishte shfrytëzuar për të ngarkuar grurin dhe për ta nisur për Kosovë.

Mahmut Halimi ka thënë se në momentin kur gruri është ngarkuar në Turqi, në anije kanë qenë 10 mijë e 6 tonë grurë, meqë 6 tonë thotë se biznesmeni turk i ka dhënë falas për Kosovën. Sipas avokatit, autoritetet e doganës dhe ministrisë së Tregtisë së Turqisë e kishin bërë vlerësimin e sasisë së mallit dhe detajeve të tjera, dhe kanë konstatuar se në anije gjendeshin 10 mijë e 6 tonë grurë.

Ridvan Muharremi, siç tregon avokati i tij, pasi kishte ardhur nga Turqia, kishte shkuar në Ministri për t’iu ofruar ndihmën e tij për momentin kur do të vijë gruri në “Porto Romano” të Durrësit, meqë thotë se Ridvani kishte nuhatur pazotësi të zyrtarëve të ministrisë dhe se momenti i pranimit të mallit në Durrës është kritik.

Por Halimi thotë se nga ministria i kanë thënë se me sigurimin e grurit në Turqi e ka kryer misionin e tij dhe se me Durrësin do të merren vetë.

Pas një muaji, Halimi thotë se klientin e tij e kanë telefonuar nga MINT dhe i kanë thënë se mungojnë 52 tonë grurë. Sipas avokatit, Muharremi ka kërkuar që të dijë emrin e zyrtarit që ka hequr siguresat e kontejnerëve dhe që ka bërë pranimin e mallit në Durrës, por thotë se nga MINT kanë refuzuar që të tregojnë emrat.

Sipas Mahmut Halimit, përgjegjësia duhet të kërkohet tek ministria që drejton Rozeta Hajdari, meqë Turqia garanton për mallin deri në momentin kur hiqen siguresat e kontejnerëve.

“Duhet t’i pyesin zyrtarët e Ministrisë se ku mbeten ata 52 tonë”, ka thënë avokati Mahmut Halimi.

Në këtë intervistë, Halimi ka folur edhe për atë se si shteti i kishte kërkuar Muharremit për të siguruar dhe vaj e sheqer. Ridvan Muharremi, sipas avokatit, vetëm e ka vendosur MINT-in në kontakt me kompaninë polake që ka shprehur gatishmëri.

“I vetmi rol i Ridvanit, është që i ka qit në kontakt me këtë personin që e ka këtë firmën bashkë me polakun. Të gjitha bisedimet janë zhvilluar mes MINT-it dhe kompanisë që ka shpreh gatishmëri për kontaktim”, ka thënë Halimi në FRONTAL të T7.

Sipas dosjes së Prokurorisë, dyshohet së dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është 600 mijë euro, meqë mungojnë 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogram sheqer. /GazetaExpress/

Të ngjashme