Lajme
“Me duar të pastra” | Peci ndau 10 mijë euro kompensim për këshilltarin e tij për mbulimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore
Demokracia
19:47 | 08 Mars 2023

Share:

Kompania “Iron Consulting”, me pronar Naim Huruglicën, i angazhuar si këshilltar i jashtëm në kabinetin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ka përfituar vitin e kaluar 10 mijë euro kompensim për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Një gjë të tillë për Demokracia.com e ka konfirmuar ministria me të cilën udhëheq Faton Peci nëpërmjet një përgjigje me e-mail, duke saktësuar se këshilltarit të tij iu është kompensuar 82 për qind e shumës së kualifikuar, e cila ishte 12,296.16 euro.

“Gjatë shqyrtimit të lëndëve për dëmet në bujqësi për vitin 2022, në listën e dorëzuar nga Drejtoria komunale për Bujqësi nga Komuna e Kamenicës ka qenë edhe lënda e subjektit “Iron Consulting LLC”.Komisioni për dëmet në bujqësi gjatë shqyrtimit të lëndës në fjalë sipas Udhëzuesit për vlerësimin dhe Kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi, nga shuma e kualifikuar që ka qenë në vlerë prej 12,296.16 Euro, sipas vendimit të Qeverisë është kompensuar me 82% që i bie në shumën e mjeteve prej 10,082.85 Euro”, deklaruan nga ministria e Pecit.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se Huruglica është i angazhuar në cilësi të ekspertit të GIZ-it gjerman, duke potencuar se nuk paguhet nga buxheti i shtetit. Vlen të theksohet se rekomandimi i ekspertit bëhet me kërkesë të ministrit.

Huruglica ka shprehur haptazi mbështetjen për ministrin Peci nëpër rrjetet sociale që nga 2021-a. Këshilltari i tanishëm shkruante për vizitën e Pecit në pemishten e Huruglicës, si dhe fotografohej me të.

“Dje kishim për vizitë në pemishten tonë Ministrin e Bujqësisë z. Faton Peci. Një rast i mirë për të prezantuar punën tonë si dhe mundësitë e sfidat e sektorit të pemëtarisë në Kosovë”, shkruante ai në ‘Facebook’.

Naim Huruglica ka qenë drejtor i Doganës së Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2013. Ai kompaninë “Iron Consulting” e ka themeluar në vitin 2012 bashkë me Dardan Velijan, një ish eksponent i LDK-së, më pas edhe analist politik. /Demokracia.com/

Të ngjashme