Lajme
“Me aleatët në Prishtinë jo, në Bruksel me Serbinë po”: Opozita kritikon ‘zhurmën për asgjë’ të Kurtit pas pranimit të bisedimeve për dinarin në dialog
Demokracia
20:59 | 26 Shkurt 2024

Share:

“Takimi do të zhvillohet në formatin e zakonshëm të dialogut”.

Kështu tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massralli, në një përgjigje për media rreth takimit të thirrur nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të diskutuar rreth Rregullores së amandamentuar të Bankës Qendrore të Kosovës, ku ndalohet valuta serbe (dinari) si mjet i vlefshëm i pagese/transaksioni në vend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar në rend të parë – prej kur është marrë vendimi – se çështja e dinarit mund të jetë e negociueshme; e madje, pastaj, për çudinë e shumëkujt, duke deklaruar nga Mynihu se “as që e kam pasur idenë” se një vendim i tillë po merrej “nga BQK”.

BQK, sot njoftoi për media se do të merr pjesë në takimin e thirrur në Bruksel, të cilin në përgjigje e quajti thjesht “takim informues” ndryshe nga BE-ja që e quan takim “të formatit të zakonshëm” të dialogut Kosovë-Serbi.

Opozita qysh në start kishte shprehur brengën se një vendim i tillë – i pa konsultuar, i pakoordinuar dhe pa mbështetjen e aleatëve perëndimor (jo si vendim, por në mënyrë të zbatimit) – do të përfundonte në tryezën e dialogut të Brukselit, kësisoji duke u shndërruar temë bisedime me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.

Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas njoftimit të BQK-së duke e vlerësuar në thelb krejt kjo është “pasojë e vendimarrjes shtetërore kur i nënshtrohet interesit elektoral”.

Madje, ai iu drejtua Kurtit me fjalët e tij duke ia replikuar se “njëherë mundesh, pastaj s’mundesh” referuar qëndrimit të tij se dinari është çështje e panegociueshme në Bruksel.

Para dy jave, Kosova u kritikua në Këshillin e Sigurimit për vendime të pakoordinuara. Kritikat nuk ishin vetëm nga Kina e Rusia, por nga aleatët që Kosovës ia sigurojnë kufijtë. Gjatë këtyre dy javëve, aleatët kanë kërkuar me ngulm koordinim në Prishtinë vetëm për evitim të pasojave për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb. Asgjë tjetër nuk kanë kërkuar”, ka shkruar Hoti.

Qeveritarët ‘e ndritur’ të Kosovës nuk deshën të arrijnë dakordim në Prishtinë me aleatët. Por pranojnë që këtë çështje ta diskutojë me Serbinë në Bruksel në kuadër të dialogut. Kjo nuk do koment. Këto janë pasojat kur vendimmarrja shtetërore i nënshtrohet interesit elektoral. Mund t’i thuash jo dialogut në Bruksel për dinarin, por pastaj nuk mundesh”, ka shkruar mes tjerash ai.

Edhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka ironizuar me krejt këtë situatë duke iu drejtuar qeverisë me fjalët “Gjenialë jeni për besë. Sovranë dhe krenarë”.

Pra, në vend se të kordinohen me aleatët për çështjen e përdorimjt të valutave të huaja në Kosovë, tani institucionet tona paskan shprehur gadishmëri të koordinohen me Beogradin në Bruksel”, ka shkruar Çitaku.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, në një intevistë për Kosovapress, madje e dha për punë të kryer se tashmë qeveria – duke provuar të korrë poena politike mbi baza “populliste” – veçse e ka bërë temë në dialog me Serbinë një çështje të brendshme të Kosovës.

Po t’i lihej në dorë BQK-së ose po të mos përzihej qeveria me tendenca që të nxjerr këtë çështje me populizëm si një sukses të qeverisë, kjo do të zgjidhej më mirë. Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut”, ka thënë Pajaziti.

Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herët të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë”, shton ai.

Të ngjashme