Sport
Me akademi solemne u shënua 30-vjetori i themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës
Demokracia
18:29 | 20 Gusht 2021

Share:

Shkolla fillore “Asim Vokshi” këtë të premte ishte vendtakim për shumë ish-punëtorë sportivë dhe ish-futbollistë kosovarë.

Arsyeja e këtij takimi ishte Akademia Solmene e organizuar nga FFK, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.

Në fakt, pikërisht në këtë shkollë më 20 gusht të vitit 1991 ishte mbajtur Kuvendi themelues i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, me çka përfundimisht futbolli i Kosovës u nda nga sistemi i ish-shtetit federativ, i cili në atë periudhë kishte vendosur masa të dhunshme në çdo pore të jetës në Kosovë.

Nga këtu 30 vjet më parë nisi rrugëtimin e pavarur futbolli i Kosovës, i cili përkundër shumë peripecive e sakrificave ia doli të vazhdojë rrugëtimin e tij deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA.

Të pranishëm në këtë akademi ishin ish-anëtarë të kryesisë së parë të FFK-së, punëtorë të shumtë sportivë dhe ish-futbollistë e trajnerë të periudhës së rezistencës.

Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur ish-nënkryetari i kryesisë së parë, Gafurr Kabashi.

Ai ka vlerësuar jashtëzakonisht guximin e futbollistëve, të cilët edhe në ato kushte të rënda nga represioni i regjimit serb gjetën kurajë për të luajtur futboll dhe për ta trasuar rrugën e futbollit të pavarur të Republikës së Kosovës.

“Në kohën më të ndjeshme, kur është shpallur lufta sportive e Kosovës kundër armikut, futbollistët ishin të parët që me guxim dhe dinjitet hyn në fushë dhe luajtën futboll pa pasur frikë. Andaj, kam respekt të veçantë dhe ju përkulem të gjithëve për atë çfarë keni bërë. Ne si punëtorë sportivë në atë kohë kemi punuar gjatë tërë verës për t’u organizuar sa më mirë dhe në fund më 20 gusht e kemi zyrtarizuar themelimin e FFK-së. Gjatë tërë muajit kemi qenë në aktivitet, duke biseduar me klubet, të cilat e kanë pranuar kyçjen në garat e Kosovës. Suksesi ynë më i madh ka qenë kur na janë bashkuar klubet e mëdha si Prishtina, Trepça, Vëllaznimi e Liria, atëherë ju kanë dridhur themelet e shtetit jugosllav sepse kemi dëshmuar se ekziston një popull që e donë vetveten dhe futbollin e tij”, ka thënë Kabashi.

Ai ka thënë se mburret që fati ka dashtë që të jetë në shërbim të futbollit të Kosovës në atë periudhë.

Ndërkaq, presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka vlerësuar 20 gushtin e vitit 1991 si një datë që do të shkruhet gjithmonë me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës.

“Si sot, 30 vjet më parë këta burra që janë ulur sot në këtë akademi ishin djemtë tonë në atë kohë, të cilët e filluan një mision jashtëzakonisht të vështirë për të luajtur futboll në kushte okupimi. Po ashtu, ishin disa burra të guximshëm të cilët e morën përsipër misionin për ta themeluar FFK-në dhe për ta pavarësuar futbollin e Kosovës. I falënderoj përzemërsisht të gjithë për atë çfarë kanë bërë për futbollin tonë dhe pa dyshim emrat e tyre do të shkruhen me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës. Punëtorët sportivë, trajnerët, futbollistët, donatorët, njerëzit që lëshuan tokat e tyre për t’i shndërruar në fusha futbolli dhe të gjithë ata që në një formë apo tjetër kontribuuan për pavarësimin e futbollit meritojnë respekt maksimal. Ashtu, siç meritojnë respekt edhe drejtuesit e Federatës dhe kryesitë në etapa të ndryshme. Unë i ndaj këto në katër etapa: Etapa e Pavarësisë në krye me Agim Bytyqin; Etapa e Rezistencës në krye me Rexhep Abdullahun; Etapa e Ekzistencës në krye me Sabri Hashanin dhe Etapa e Ndërkombëtarizimit në krye me Fadil Vokrrin. Datat e tilla si kjo duhet t’i kujtojmë me krenari përherë dhe sa të jem në krye të këtij institucioni do të mundohem që asnjë gjeneratë të mos harrojë të kaluarën, por njëherësh do të punojmë ta ngrisim futbollin tonë sa më lartë”, ka thënë presidenti Ademi.

Ai në fund ka ndarë mirënjohje për ish-kryetarin e tashmë të ndjerë Agim Bytyqi dhe për kryesinë e parë të FFK-së, të cilat i pranuan ish-nënkryetari Gafurr Kabashi dhe ish-sekretari Sejdi Mërkoja.

Ndërkaq, në hyrje të shkollës fillore “Asim Vokshi” është bërë zbulimi i pllakës me datën e themelimit të FFK-së nga Beqir Aliu, Gafurr Kabashi, Ajet Shosholli, Ferat Qorri e Sejdi Mërkoja.

Përveç akademisë solemne për ta shënuar këtë ditë të rëndësishme FFK e ka organizuar edhe një ndeshje revyale, në të cilën kanë luajtur futbollistët që ishin pjesë e formimit të Ligës së Kosovës në vitin 1991.

Të ngjashme