Barazia
Më 8 mars “Marshojmë s’festojmë”, kundër patriarkatit që vret
Demokracia
13:19 | 20 Shkurt 2021

Share:

Në 14 qytete të Kosovës, në objektet e disa prej institucioneve publike, për disa ditë do të vendosen çarçafë me thirrje kundër patriarkatit. Në ditën e gruas, 8 marsi do të shënohet në këtë formë, si shenj pakënaqësie për trajtimin e gruas dhe me temë kryesore vrasjen e grave.

Aktivistja e kolektivit “Marshojmë s’festojmë”, Liridona Sijarina tregon për KosovaPress se temë kryesore këtë vit do të jetë vrasja e grave duke bërë thirrje në 14 komuna për vetëdijesim të popullatës.

“Sot jemi mbledh që të zhvillojmë punën për realizimin e njërës prej aksioneve që i kemi paraparë për 8 mars në shenjë për ditën e gruas. Ne tradicionalisht organizojmë marshin e 8 marsit, sivjet me shfrytëzua këtë mundësi, apo këtë momentum që jemi për të zhvilluar disa aktivitete tjera. Çfarë kemi paraparë ne për këtë vit është që të organizojmë aktivitete simbolike me çarçafë të mëdha që do të vendosen në institucione publike që do t’i kenë disa thirrje kryesore rreth vrasjes së grave”, thotë ajo.

Kolektivi i “Marshojmë s’festojmë”, ka filluar sot aktivitetet me ngjyrosjen e çarçafëve me thirrjet që do të vendosen në institucionet publike.

Sijarina thotë se thirrjet kryesore do të jenë kundër patriarkatit, për çka tha se konsiderojnë se gratë vriten si pasojë e shtypjes institucionale.

“Thirrjet e tjera do të jenë që e luftojnë patriarkatin. Kemi thirrje të ngjashme si ‘Poshtë patriarkati’, ‘Patriarkati vret’ edhe disa thirrje që do ti drejtohen ekskluzivisht institucioneve në formën sikur ‘Edhe sa jetë të humbura’, që tregon shqetësimet tonë që ne e kemi që jetët e grave nuk janë të rëndësishme për institucionet që me i marrë seriozisht sigurinë dhe jetën e grave”, shton ajo.

Tutje, ajo tregon se janë mbi 50 aktivistë të cilët po punojnë në këto aktivitete, në disa lokacione. Ajo shpreh shqetësimin se gratë në Kosovë nuk po trajtohen dinjitetshëm dhe se situata e tyre është pa progres të dukshëm.

Të ngjashme