Lajme
“Konfiskimi i pasurisë”, Komisioni i Venecias jep mendim deri në fund të qershorit
Demokracia
11:06 | 11 Qershor 2022

Share:

Kuvendi i Kosovës ka dërguar kërkesë për opinion për Projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Komisionin e Venecias. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se në muajin qershor pritet që ky komision të japë qëndrim rreth këtij projektligji.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë për Demokracia.com se mendimi i Komisionit të Venecias pritet të kthehet në fund të këtij muaji.

“Fillimisht ju njoftojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dërguar kërkesën për opinion për projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Komisionin e Venecias. Ashtu siç ka deklaruar Ministrja Haxhiu, në fund të muajit qershor, pritet të mbahet seanca plenare për trajtimin e kërkesës së Kuvendit lidhur me Projektligjin në fjalë, kur edhe pritet qëndrimi i Komisionit të Venecias lidhur më këtë çështje.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Demokracia.com.

Të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë, nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

E gjithë kjo mund të fillojë të bëhet nëse themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për krijimin e kësaj byroje, nevojitet miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Një ligj të tillë, Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021. Në muajin shkurt të këtij viti, ndërkaq është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Në Kuvend nuk është hedhur në votim, pasi deputetë të partive opozitare kanë kërkuar që Projektligji të adresohet në Komisionin e Venecias.

Ata nuk janë pajtuar që kjo byro të udhëhiqet vetëm nga një drejtor. Ata madje kanë shprehur shqetësimin se krijimi i byrosë është tendencë për krijim të institucioneve paralele gjyqësore.

Çfarë parasheh projektligji?
Siç thuhet në projektligj, ai zbatohet ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë, personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe palët e treta.

Projektligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008 dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Persona të ekspozuar politikisht nënkuptohen personat fizikë të huaj apo vendorë, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të larta publike.

Pasuria do t’iu verifikohet edhe anëtarëve të familjes, bashkëshortit/es, fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave dhe palëve të treta.

Sipas legjislacionit, byroja ka kompetencat dhe përgjegjësitë për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë.

Fuqia e drejtorit të byrosë
Projektligji thotë se byroja udhëhiqet nga Drejtori i Përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i drejtorit është pesëvjeçar.

Sipas projektligjit, për fillimin e procedurës për verifikim vendos drejtori i byrosë dhe pastaj byroja vazhdon me mbledhjen dhe hulumtimin e dokumentacionit relevant për rastin.

Në rast se nga të dhënat e mbledhura dëshmohet mospërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, atëherë zyrtari i byrosë propozon dërgimin e çështjes për konfiskim në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ky propozim i dorëzohet Drejtorit të Përgjithshëm, i cili më pas parashtron propozim për konfiskim, shkruan Demokracia.com.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Në Kosovë që nga viti 2018 ekziston Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për të Konfiskim të Pasurisë së fituar me vepër penale.

Sipas këtij ligjit, prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit, ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme