Lajme
Mbytja e coronavirusit me këmbana, primitivizëm nga Rusia
Demokracia
13:54 | 16 Janar 2021

Share:

Viti që kemi lënë pas ishte vit i përballjes me pandeminë COVID-19. Si rrjedhojë nuk munguan as propagandat dhe përballjet primitive karshi virusit Sars-COV-2. I tillë ishte edhe veprimi i kishave serbe në Kosovë, “Shën Nikolla” në Prishtinë dhe Kisha Ortodokse në Deçan, të cilat kanë “luftuar” virusin e padukshëm COVID-19 sipas modelit të paverifikuar rus.

Banorët e lagjeve përreth jo rrallëherë janë ndjerë të shqetësuar për shkak të zhurmës së madhe të kambanave, që kishat i lëshonin në emër të luftimit të virusit korona.

Kësaj metode i shtohet edhe një fakt i çuditshëm, e që është fillimisht edhe mohimi i këtij virusi vdekjeprurës.

Për profesorin e historisë, Selim Lokaj, është e pakuptimtë sesi Kisha Ortodokse nuk e pranoi të vërtetën rreth këtij virusi, derisa vdiqën katër personalitetet më të njohura në hierarkinë e ortodoksizmit.

Edhe metoda e gjoja mbytjes së virusit me këmbana, sipas tij, është vetëm një primitivizëm i ardhur nga Rusia.

“Më çuditë një fakt i kundërshtimit të Kishës Ortodokse, e cila ka përjetuar 4 vdekje të 4 personaliteteve më të njohura dhe më të larta në hierarkinë e ortodoksizmit, dhe vet kanë pranuar se janë viktima të koronavirusit…  Ajo le të veprojë si të dojë, por një gjë le ta ketë parasysh, se e ka një përgjegjësi edhe morale edhe në aspektin obligativ që paralelisht si e ruan vetveten ta ruajë edhe komunitetin dhe opinionin. Ne jemi të vetëdijshëm për takimet në mesha, që nuk kemi kurrgjë kundër takimeve, sepse edhe ortodoksizmi është një pjesë e të ashtuquajturit religjion qiellor, por të luajë me shëndetin, të pranojë njerëz, që sipas të gjitha gjasave janë të integruar dhe të dalin e ta mbysin koronavirusin me këmbana, ky nuk është asgjë tjetër vetëm se një primitivizëm që ka ardhur nga nëna e tyre, nga Rusia. Ne kemi informacione, edhe pse ato janë të fshehta dhe nuk i publikojnë agjencitë ruse, që spitalet ruse janë edhe brenda edhe jashtë të mbushura me të vdekur por e fshehin këtë të vërtetë me ia rritë sukseset dhe propagandën e një vaksine ruse”, thotë ai.

E këtë praktikë të mbytjes së virusit vdekjeprurës, e kanë ndjekur edhe Kisha Ortodokse “Shën Nikolla” në Prishtinë dhe ajo në Deçan. E kjo, sipas tij, ka ndodhur si rezultat i propagandës ruso-serbe kundër shqiptarëve.

Historiani Selim Lokaj thotë për KosovaPress se kjo dëshmon se propaganda antishqiptare e diplomacisë dhe shërbimeve sektrete ruso – serbe nuk ka përfunduar.

“Nuk e di pse veprojnë me një gjë të tillë. Pse kanë pranuar një lojë, një mashtrim, me këmbana të mbytet virusi. Por, një gjë duhet ta dinë se ortodokzimi, si pjesë përbërëse e shtrirë në një hapësirë shumë të madhe, me qendër të jashtëzakonshme, në Rusi, është një ndikim i madh, edhe në Ballkan e për fat të keq edhe tek ne në Deçan… E kam… një foto… ku shkruhet ‘Vizita e Konsullit rus në Manastirin e Deçanit’. Dhe, që atëherë lojërat mashtruese, propaganda antishqiptare të diplomacisë dhe shërbimeve sekrete të Rusisë, në bashkëpunim me elementet e Serbisë ndaj shqiptarëve nuk kanë përfunduar. Kam bindjen, ashtu siç po ua lejojmë veprimin, ashtu siç askush nuk përkujdeset për një mbikëqyrje të një veprimi të tillë kam frikë se do të shkojë shumë gjatë”, thekson Lokaj.

Ai shton se ndikimi i kishës ortodokse në Kosovë është imponim direkt nga Beogradi, në mënyrë që Serbia të luajë rolin e saj udhëheqës në rajon.

“Ndikimi i Kishës është imponim nga Beogradi dhe përmes manastireve, përmes ortodoksizmit, Serbia e luan atë rolin udhëheqës, dominant në aspektin fetar, dhe kreatorët e politikës serbe janë, kisha, akademia. Dhe, pas tyre, zbatues të vendimeve është aspekti shtetëror, institucionet shtetërore të Serbisë”, thotë ai.

Ndërsa eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se imitimi i praktikave propaganduese të kishave ortodokse ruse nga ana e kishave ortodokse në Kosovë, dëshmon shtrirjen e ndikimit rus te serbët në Kosovë.

Të ngjashme
Lajme • 04 Korrik 2024