Lajme
Mbyllet për publikun dhe mediat seanca në Apel ndaj të dënuarit me 25 vite burgim për vrasjen në AKI
Demokracia
14:30 | 20 Korrik 2022

Share:

Gjykata e Apelit e ka mbyllur për publikun seancën e së mërkurës ndaj të dënuarit, Valon Ibërdemaj me 25 vite burgim për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.

Në fillim të seancës, kryetari i Kolegjit të Apelit gjykatësi Burim Ademi me vendim e ka mbyllur për publikun dhe mediat seancës e së mërkurës për shkak të ndjeshmërisë së rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë sipas aktgjykimit të shpallur më 18 shkurt 2022, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Valon Ibërdemaj dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik prej 25 vitesh burgim për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Rrëmbimi” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2020 e ka mbyllur për publikun dhe mediat këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

Më këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme