Lajme
Mbyllen hetimet, SPAK çon Safet Gjicin për gjykim
Demokracia
13:48 | 25 Nëntor 2023

Share:

Prokuroria e Posaçme SPAK i ka mbyllur hetimet lidhur me rastin e ish-kryebashkiakut të Kukës, Safet Gjici, duke e dërguar dosjen e tij për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

E gjitha, pas një videoskandali të publikuar mediatikisht, ku Gjici ishte i përfshirë së bashku me shtetasen Alma Kaçi, e cila po ashtu është çuar për gjykim dhe akuzohet për korrupsion aktiv.

Sipas një njoftimi zyrtar nga ana e SPAK, në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:

-Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

-Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.

Hetimi për Gjicin

Prokurorët e SPAK kanë zbritur në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku kanë sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmojnë në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.

Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç ka mësuar Albanian Post, kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e Bashkisë dhe kanë marrë gjithashtu edhe kontaktet e punonjësve të informatikës në administratën rajonale.

Bashkëngjitur, janë marrë edhe disa dosje, rreth të cilave mund të bëhet verifikimi nëse gruaja që është pjesë e videos, ka paraqitur apo jo projekte pranë Bashkisë dhe nëse ato janë miratuar.

Kjo e fundit, është bërë po ashtu pjesë e hetimit, për arsye se nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.

Për këtë arsye, nga SPAK pritet të ndodhë një hetim i thellë i një dosjeje voluminoze, e cila do të shkojë në rrënjë të punës që Gjici ka kryer në mandatin e tij katër-vjeçar në krye të bashkisë.

Kështu, do të shihet edhe nëse ajo ka përfituar nga tenderë apo projekte publike në emër të kompanisë apo të personave të tretë.

Vetë ish-kryebashkiaku nga ana tjetër, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

SPAK thekson se pas sqarimit të rrethanave nga verifikimi që po kryhet për këtë çështje, situata penale mund të ndryshojë.

Si fillim pika kyçe e çështjes është dëshmia e vajzës, e cila është identifikuar nga Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu hetime po kryhen edhe për rrethanat në të cilin është kryer filmimi, për qëllimin dhe për arsyet e publikimit të videos intime.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “ËhatsApp”.

Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.

Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Të ngjashme