Lajme
Mbrojtja kundërshton paraburgimin e personave të arrestuar në aksionin ‘Subvencioni 2021’
Demokracia
13:17 | 26 Shkurt 2021

Share:

Gjatë së premtes është mbajtur seanca dëgjimore e 11 të akuzuarve për keqpërdorime me subvencione bujqësore.

Behar Ejupi, avokat i Pajtim Krasniqit i akuzuar për dy vepra penale, ka thënë se kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit, raporton Demokracia.com

“Tani sapo ka përfunduar seanca e dëgjimore lidhur me kërkesën që ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit edhe për klientin tim, Prokuroria pretendon se klienti im ka kryer dy vepra penale, dhënie e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare. Konsideron se ka prova të mjaftueshme, mbrojtja ka kundërshtuar këtë. Ndërsa kolegët tjerë po ashtu kanë kundërshtuar masën e paraburgimit. Tash Gjykata do të vendos. Kemi kërkuar që nëse merret ndonjë masë, të jetë që të paraqiten një herë në javë në stacion policor”, tha ai para mediave.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që 11 të arrestuarve t’u caktohet masa e paraburgimit.

“Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona, 8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë”, thuhet në njoftimin për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, personat në fjalë dyshohen për keqpërdorime me subvencione në Ministrinë e Bujqësisë./Demokracia.com/

Të ngjashme