Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Claire Lawson, ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë dokument nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në konferencën e sotme në rastin e ish-komandantëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se ZPS-ja duhet të kërkojë dokumente nga qeveria amerikane dhe nga shërbimi i CIA-së lidhur me UÇK-në.
“Parashtrimit të mbrojtjes së Thaçit, sa i takon kontakteve me Qeverinë amerikane, shkalla e bashkëpunimit apo materialeve që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative, nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh së ZPS-ja ka akses apo ka në zotërim dokumentacione, ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë Lawson.
Kehoe ka thënë se ZPS-ja duhet të ketë dokumente të CIA-s, të cilat thonë se udhëheqja e UÇK-së nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e tyre gjatë luftës.
“Në dokument thuhet se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste, të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objektivave joluftarake, pra prokuroria thotë që nuk e di këtë raport, ku thuhet ”udhëheqja e UÇK-së nuk është e përfshirë në këso aktivitete”, ka thënë Kehoe.