Lajme
​Mbrojtja e Thaçit e përballë dëshmitarin e ZPS-së me deklaratat e tij të mëparshme
Demokracia
17:35 | 19 Qershor 2023

Share:

Në gjykatoren e Speciales në Hagë, në seancë të hapur por me masa mbrojtëse, ka dëshmuar dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari i nacionalitetit serb është intervistuar nga mbrojtja e të akuzuarve ku është përballur me deklaratat që i kishte dhënë në dëshmitë paraprake.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, dëshmitari me kodin 03540 ka thënë se gjatë vitit 1998 ka punuar roje pylli.

Ai ka nuk e ka mohuar se derisa e bënte këtë punë mbante veshur rroba te gjelbra.

Ndërsa ka pranuar se u ka dhënë autoriteteve serbe informata rreth UÇK-së, por sipas tij këtë e ka bërë në fillim të vitit 1998.

Dëshmitari: Unë u kam raportuar autoriteteve serbe që po merrnin rërë me kamionë civilë në Bajgorë dhe që po përgatiteshin disa bunkerë, derisa e pranuan këtë dhe nuk kam shkuar asnjëherë me asgjë tjetër. Kjo është e vetmja gjë që kam raportuar.

Avokati Kehoe: Kur ju arrestuan, gjatë kësaj periudhe kohe dhe kur e dinit që UÇK dhe civilët po ndërtonin bunkerë, ju ishit në dijeni që po zhvillohej një luftë midis UÇK-së dhe autoriteteve serbe në atë zone apo jo?

Dëshmitari: Po kisha dëgjuar nga kolegët e mijë, nga rojtarë të tjerë pylli që ishin shqiptarë.

Kehoe: Pra, jemi në një kohë lufte, ne datë 2 gusht, i kishte dhënë autoriteteve serbe informacion lidhur me ndërtimin e bunkerëve nga civilë, kishe veshur një uniformë të gjelbër, ishe roje, kishe gjithashtu një armë, kështu ka qenë?

Dëshmitari: Po. Por, çdo roje pylli kishe një armë, jepej në ditën e parë të punës.

Dëshmitari i ZPS, gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ishte mbajtur nga 2 gushti deri më 26 shtator në Bajgorë, dhe sipas tij ndalimi i tij ishte bërë nga UÇK.

Kehoe: Ju keni shkuar me 26 shtator 1998 në stacion të policisë. Ju thatë Vladimir Simiqit që UÇK po ndërtonte istikame, me datë 26 shtator?

Dëshmitari: Jo.

Kehoe: ZPS-së i keni thënë që me 26 (shtator) ku u liruat dhe kur shkuat në rajonin e policisë, i thatë policisë që UÇK po ndërtonte bunkerë, kështu?

Dëshmitari: Jo nuk është e saktë.

Kehoe: Ju thoni, pretendoni që e gjithë intervista me oficerin e policisë, Simiq, pra ti po thua që nuk ke folur fare me të atë ditë, kështu?

Dëshmitari: Nuk ka qenë e mundur.

Kehoe: A është e saktë se menjëherë pas lirimit tuaj, informuat autoritetet serbe për numrin e forcave, për pozicionet, mbrojtëse, për armët dhe kështu me radhë, dhe ku ishin të vendosura forcat e UÇK-së, në këtë rast në fshatin Popovë dhe një shkollë afër Potokut, ju këtë ja thatë autoriteteve serbe menjëherë pas lirimit tuaj, a është kjo e saktë?

Dëshmitari: Jo, kjo është thënë më vonë, por jo në këtë kohë, sepse në atë kohë nuk isha në gjendje të dija ose të ua jepja atyre këtë informacion.

Kehoe: Por u pajtoheni me mua që deklarata që kemi në ekran dhe që keni dhënë më 29 është në fakt deklarata që ua keni dhënë autoriteteve serbe me datën 29 shtator?

Dëshmitari: Po, e kam dhënë atë deklaratë.

Gjatë intervistimit nga ZPS, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se Osman Sinani kishte qenë i ndaluar gjithashtu, dhe sipas tij i njëjti ishte vrarë.

Kehoe: Kur u intervistuat nga ZPS me datë 4 dhjetor 2019 dhe besoj kjo është në intervistat e ZPS-së, kur keni folur për Syleviqin jeni pyetur, Syleviqi a ju tregoi diçka për Osman Sinanin dhe ju përgjigjeni ‘Jo ai vetëm më tha qe ku person kishte shkuar’. Dhe kjo është përgjigja juaj në pyetjen që konkretisht ua bëri ZPS, a e dini nëse Syleviqi u ka treguar këtë ose, jo dhe ju e keni dhënë këtë përgjigje?

Dëshmitari: Unë e di që ai më tha që Sinanin e kishin vrarë me shkopinj, mund të ju them që deklaratat nga 2009 nuk ekzistojnë më përnjëherë u humbën të gjitha ato transkripte të gjykimit, dokumentacione nga ato gjykime të mëparshme nuk ekzistojnë më, thjeshtë është zhduk i gjithë dokumentacioni. Dhe mund të ju them që edhe përkthyesve nuk u besoja.

Kehoe: Unë ju them që deklarata që ju lexova se a e keni ditë se Syleviqi u ka treguar se çfarë ka ndodhur me Osman Sinanin dhe ju jeni përgjigjur me jo, kjo është një deklaratë që ju e keni dhënë në vitin 2019 dhe jo 2009 dhe atë intervistë ja keni dhënë ZPS-së, dhe unë lexova fragment nga ajo intervistë. Kjo është një deklaratë që nuk ja keni dhënë UNMIK apo EULEX, por ZPS-së në vitin 2019. Kjo deklaratë që ja keni dhënë ZPS-së nuk flet aspak për atë nëse ky person është rrahur me shkopinj ose jo, a është kështu?

Dëshmitari: Kjo mua nuk më kujtohet, për vitin 2019.

Kehoe: Unë ju them që prova që ka dëgjuar trupi gjykues, sipas tyre, Osman Sinani është vrarë nga një bombardim i kryer nga serbët në Bajgorë në shtator të vitit 1998, e dini këtë?

Dëshmitari: Jo.

Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur për publikun për t’u hapur pastaj disa minuta më vonë.

Kehoe: Pra ju po na thoni që nuk ka pasur granatime nga forcat serbe në Bajgorë në shtator të vitit 1998?

Dëshmitari: Nuk e di çfarë bënin autoritetet serbe, nuk e di a bënin garantime, e di që kishte luftime në 99-ën. Nuk e kuptoj dot si mund të kenë bërë autoritetet serbe granatime në 98

Për këtë dëshmitar, pyetje nuk kanë parashtruar mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Ndërsa avokati i Jakup Krasniqit, Aydan Elis, e ka pyetur atë edhe rreth raportit në të cilin thuhet se dëshmitari ishte shtruar në repartin neuropsikiatrik.

Elis: Thuhet që jeni pranuar në pavijonin neuropsikiatrik për shkak se është përkeqësuar gjendja juaj, kishit probleme e humorin, kishit humbur memorie, kishin shqetësime, disa probleme, i shihni këto shënime.

Dëshmitari: Po

Elis: Para shkurtit 2000 ju kishit filluar të kishit probleme përfshirë humbjen e kujte4ses, por që u bë më keq me kalimi e kohës derisa mbërritëm në momentin për të cilin flitet në këtë raport, kështu?

Dëshmitari: Po.

Elis: A është kjo një nga simptomat psikologjike që ju thoni se vazhdoni sot e kësaj dite.

Dëshmitari: Po.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes, për dëshmitarin e dhjetë pyetje kanë parashtruar edhe anëtarët e turpit gjykues.

Ndërsa kryegjykatësi Charles Smith ka urdhëruar ZPS-në që t’i jap trupit gjykues, palëve dhe pjesëmarrësve listën e 12 dëshmitarëve nga lista e 40 dëshmitarëve dhe ta dorëzojë këtë deri të premten 30 qershor 2023 në orën 4 pasdite.

Ai ka thënë se ZPS duhet gjithashtu të jap një listë të pesë dëshmitarëve që do të jenë në pritje përveç 12 dëshmitarëve të parashikuar.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

Të ngjashme