Lajme
Mbrojtja e Shalës për ZPS-në: I ka përzgjedhur dëshmitarët për të shmangur realitetin
Demokracia
15:38 | 16 Prill 2024

Share:

Jean-Louis Gilissen, avokat i mbrojtjes së Pjetër Shalës, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përzgjedhur dëshmitar për të shmangur realitetin.

Sipas tij, një dëshmitare e cila ka qenë neutrale në këtë proces dhe do t’i ndihmonte këtij procesi me anë të deklaratës së saj, nuk është ftuar që të dëshmojë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Janë përzgjedhur dëshmitarët për të shmangur vështirësitë dhe unë them për të shmangur realitetin. Por, kërkimi i së vërtetës është detyrë, detyrim për prokurorinë. Është rregull ajo dhe ju e dini shumë mirë sepse ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë lidhur me këtë”, tha Gilissen.

Ai tha se nga ana e mbrojtjes nuk kanë frikë nga realiteti dhe se kur kanë pas mundësi për të marrë një deklaratë kanë bërë përpjekje për këtë.

“Ne, nga ana e mbrojtjes nuk kemi frikë nga realiteti. Çdo herë që kemi patur mundësinë të marrim një deklaratë, kemi bërë përpjekje dhe jemi përpjekur që të sigurojmë një dëshmitar. A ka qenë e vështirë? Shumë e vështirë, Pse? Sepse siç thanë edhe nga prokuroria dhe për këtë kanë plotësisht të drejtë, ekziston rreziku për dëshmitarët”, tha ai.

Avokati i Pjetër Shalës thotë se një dëshmitar deklaroi se në të kaluarën deklaratat e tij ishin manipuluar nga prokurori përgjegjës në hetime

(Përditësuar, ora: 13:55)-Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar deklaratat përmbyllëse mbrojtja e tij e përfaqësuar nga avokati Jean-Louis Gilissen i cili tha se një dëshmitar kishte deklaruar se prokurori përgjegjës për hetime në të kaluarën kishte manipuluar me deklaratat e tij.

“Dëshmitari nuk hezitoi që të pohonte se prokurori që ishte përgjegjës në të kaluarën për hetime në këtë lëndë i kishte manipuluar deklaratat e tij”, tha ai.

Përpara kësaj, Gilissen tha se janë evidentuar disa parregullsi gjatë procesit pasi sipas tij, ky dëshmitar kishte deklaruar se ka dhënë afërsisht rreth 100 deklarata për autoritete të hetuesisë e që sipas avokatit ato nuk janë.

Avokati thotë se dëshmitari ka thënë se dosjet e lëndës së tij janë të paplota. Ai tha se mbrojtja nuk ka qasje në dokumentet e mbledhura gjatë hetimeve në këtë çështje gjyqësore. Sipas tij, një situatë e tillë është shumë e rendë.

Ai tha se ka mundësi që këto deklarata kanë humbur apo edhe ka gënjyer dëshmitari e që kjo është një indikator që konteston besueshmërinë e këtij dëshmitari. Megjithatë, Gilissen tha se kjo është në dëm të të drejtave të Shalës dhe në dëm të provuarit të drejtësisë.

Ndryshe, Gilissen tha se nuk i konteston ato që kanë ndodhur në fabrikën e Metalit në Kukës mirëpo, baza e gjykimit të Shalës është të vërtetohet nëse i akuzuari ka qenë ose jo pjesëmarrës.

“Me duhet të them, ju lutem; vuajtja dhe plagët nuk… asnjëherë. Por ato, nuk kanë asnjë lidhje me provën e pjesëmarrjes dhe sigurisht me duhet të them që ajo që ka ndodhur në fabrikën e Metalit në Kukës ne e dimë këtë gjë se në fakt dy vendime gjyqësore janë marrë lidhur me këtë. Kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme. Nuk është në diskutim kjo. Nuk ka të bëjë me diskutimin tonë, far. Nuk ka të bëjë fare sepse baza e këtij gjykimi është që të dihet në qoftë se zoti Shala ka marrë pjesë në atë që ka ndodhur në Kukës apo jo”, tha ai.

Ai po ashtu tha se edhe disa hetues kanë bërë përzgjedhje hetimore jo të mirë të provave.

“Mungesa e provave duket që vjen si rezultat i përzgjedhjeve hetimore. Disa hetues kanë ndodhur të bëjnë përzgjedhje hetimore jo të mirë. Megjithatë, rezulton që shumë njerëz, emrat e të cilëve paraqitën në deklarata ose në dosje të prokurorisë, asnjëherë nuk janë dëgjuar e as nuk janë ftuar të japin deklaratë. Hetuesit nuk kanë kontaktuar fare me këta persona”, tha Gilissen duke specifikuar rastin e Shani Berishës i cili sipas tij, është përmendur nga dy dëshmitarë të Prokurorisë dhe është profilizuar si person me ndikim në fabrikën e Metalit në Kukës.

Madje, Gilissen kontestoi edhe parashtrimet e ZPS-së të cilët në deklaratën përmbyllëse thanë se ka të ngjarë që Shala është larguar nga Kosova për në Belgjikë në mënyrë që t’i ikte përgjegjësisë penale.

“Zotëri Shala ka qenë gjithmonë i gatshëm që të përgjigjet. Ai është larguar nga Kosova, por arsye nuk ka qenë që ai të i shmanget përgjegjësisë. Nuk është ky rasti që ai ka ardhur në Belgjik. Absolutisht jo! Por, siç e dini z.Shala ka jetuar në Belgjikë përpara se të kthehej atje. Kështu, që nuk ka arsyeje që ta prezantoni që ai është larguar nga Kosova për në Belgjikë për të iu shmangur përgjegjësisë”, tha ai duke theksuar se po ashtu edhe shpjegimet e dhëna nga Shala për këtë çështje gjyqësore janë shtrembëruar e po ashtu një pjesë e argumenteve janë keqpërfaqësuar.

Gilissen theksoi se për disa persona, deklarata e pavarësisë së Kosovë ishte një katastrofë dhe si rezultat hetimet ishin një mundësi për t’i larë hesapet.

“Shumë njerëz e gjejnë vetën në situata që janë tërësisht të ndryshme nga situata ku ata janë gjendur në të shkuarën, përpara luftës së vitit 1999. Pjesa dërrmuese e popullsisë së Kosovës, sigurisht e konsideron situatën si shume herë më të mirë tani se sa situata që ka qenë në vitin 1999. Megjithatë, për disa gjerat janë të ndryshme. Për disa, ata kanë humbur të ardhurat e tyre, kanë humbur statusin e tyre dhe për disa ata kanë humbur privilegjet në atë kohë. Për disa prej tyre deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte një katastrofë e vërtetë sepse ajo i vendosi ata në kampin e të humburve-humbësve. Si rezultat, nuk është befasuese se për disa, hetimet ishin një mundësi e papritur për të larë hesapet”, tha ai.

Avokati mbrojtës i Shalës tha se edhe koha e ka pas efektin e vetë në këtë çështje gjyqësore pasi që disa persona që kanë qenë dëshmitar në uzinën e Kukësit sot nuk janë të përshtatshëm të dëshmojnë.

“Efektet e kohës dhe rrjedhja e kohës janë reale dhe janë domethënëse në këtë çështje. Në të gjithë e dimë këtë. Ne i kemi parë pasojat e gjithë kësaj dhe sikur e dini kalimi i kohës i ka pasojat e veta.  Disa prej njerëzve që kanë qenë në fabrikën e Metalit në Kukës me 1999, sot janë sëmur dhe sëmundja e tyre nuk i bënë ata të përshtatshëm që të jenë dëshmitar e as të japin një deklaratë, duke pasur ndikim mbi cilësinë e dëshmive që mund të thuhen prej palëve”, tha Gilissen.

Ai tha se një rast i tillë është edhe Ruzhdi Saramati i cili sipas tij është i sigurt që ka pas informacione të drejtpërdrejta lidhur me atë që ka ndodhur në Kukës.

“Dua të iu jap një shembull të vetëm; ne jemi përpjekur që të kontaktojmë me Ruzhdi Saramati… Ky person ka qenë i rëndësishëm në Kukës dhe në veçanti ka qenë i rëndësishëm në fabrikën e Metalit në Kukës me 1999. Është e sigurt që ai ka pasur informacion të drejtpërdrejtë lidhur me jetën dhe me organizimin e Fabrikës e Metalit të Kukësit në kohën e aktakuzës dhe për muaj të tërë nuk ka pasur pikë vlerë të përpiqeshim që të takohemi më atë. Ai nuk është plotësisht me ne. Ai është i paaftë për të kujtuar Ai nuk ka mundësi të i përgjigjet asnjë pyetje apo për të pranuar ose refuzuar çdo propozim për t’u takuar me atë dhe pavarësisht kësaj, ky është realiteti”, tha ai duke thënë që kjo është një humbje për kërkimin e së vërtetës duke përmendur edhe të gjithë ata persona që tashmë kanë vdekur përpara e të fillojë ky proces gjyqësor./BetimipërDrejtësi/

Të ngjashme