Lajme
Mbrojtja e Mustafës thotë se njëri nga dëshmitarët ka qenë anëtar LDK-së
Demokracia
13:24 | 08 Mars 2022

Share:

Në konferencën përgatitore të mbrojtjes, që po mbahet pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Salih Mustafës ka deklaruar se njëri nga dëshmitarët e tyre ka qenë anëtar i një prej degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës( LDK), kurse një tjetër anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Fillimisht, avokati Julius Von Bone është deklaruar lidhur me materialet që mbrojtja synon të nxjerrë.

Ai ka thënë se sërish kanë një dëshmitar dhe se pavarësisht se ka dëshmuar diçka rreth vendndodhjes së Salih Mustafës, çështja kryesore është se ky person ka qenë anëtar i një prej degëve të LDK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pozita më e mirë për të dëshmuar nëse ka pasur armiqësi me LDK, për këtë arsye do të dëshmojë ai dhe ai e ka takuar Mustafën në disa raste dhe për këtë arsye nxjerrja e dokumenteve të këtij dëshmitari nuk është dhënë më përpara dhe kjo është arsyeja se pse është përfshirë në grupin e dytë dhe dëshmia e tij është e rëndësishme”, ka thënë ai.

Nga prokuroria u tha se pozicionin e tyre e kanë dhënë në parashtrimin me këtë temë dhe është dëshmitar që është dashur të jetë dëshmitar i dhënë për alibinë.

Tutje, avokati Von Bone deklaroi se çështja ka të bëj me datën 23 dhe 24 mars, ku dëshmitari i parë që do të jetë në gjendje të jetë i pranishëm është dëshmitari 2 në listën e tyre.

“Sinqerisht mendoj se do të ishte e dobishme që të përdorim këto dy ditë për të që të përfundojmë me dëshminë e tij dhe javën që vjen të bëjmë planifikim për dëshmitarët e tjerë. Ky është dëshmitar që e kemi dëgjuar edhe si dëshmitar të prokurorisë , por mendoj se do të kemi nevojë për dy ditët për të”, ka thënë avokati Von Bone.

Ndërkaq, ka pyetur gjykatësen se sa ditë në jave do të kenë seancë, kurse gjykatësja Mappie Velt Foglia tha se do të duhej të vendosin për këtë dhe nuk kanë marrë ndonjë vendim.

“Mendojmë që me 23 dhe 24 të thërrasim dëshmitarin 200 që është dëshmitari numër 2 në listë”, tha Von Bone.

Gjykatësja tha se është informuar se dëshmitari i parë në listën e mbrojtjes mund të dëgjohet në javën e datës 28 mars.

“Po, kuptoj. U konsultuam gjatë pushimit me zyrën administrative. Në të njëjtën javë mbase ka mundësi të vijojmë më tej me dëshmitarin 3 në listë”, tha Von Bone.

Ndërkaq, zyra administrative tha se plani i propozuar nga mbrojtja e Mustafës mund të zbatohet nga kjo zyrë.

Në vijim, mbrojtja është pyetur nëse dëshmitari i parë do të jap dëshmi si dëshmitar ekspert.

Ndërkaq, avokati Von Bone deklaroi se ky dëshmitar është një person që ka qenë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe përveç kësaj kjo është ekspertiza e tij e përgjithshme dhe nuk ka ndonjë ekspertizë tjetër dhe se nuk kanë ndërmend ta përdorin si dëshmitar ekspert.

“Megjithatë, ai ka ekspertizë për sa i përket asaj që ai ka qenë anëtar i Komandës së Përgjithshme të UÇK-së dhe mund të tregoj e dëshmoj për linjat e urdhërimit dhe hiearkinë”, tha avokati Von Bone.

Po ashtu, është diskutuar edhe për parashtrimin e bërë nga mbrojtësja e viktimave,

Anni Pues, ku ka kërkuar nga paneli të caktoj një ekspert forenzik mjekësor për të paraqitur pikëpamjet e tij në lidhje me një dëshmitar.

“Paneli do të dijë së pari nëse dëshmitari 0505 do të jetë i gatshëm të paraqitet para panelit me 21 mars 2022 nëse autorizohet dhe në lidhje me këtë paneli vërën se ardhja e këtij dëshmitari mund të lehtësohet me 21 mars 2022, jo më herët”, ”, ka pyetur Mappie Veldt Foglia.

Ajo tha se mbrojtësja e viktimave ka bërë deklaratën hapëse me 15 shtator.

“Pyetja e panelit, a i përfshin ky parashtrim ato shqetësimet dhe pikëpamjet e dëshmitarit 0505, apo dëshiron të bëj mbrojtësja e viktimave të bëj parashtrime me gojë para apo pas paraqitjes së pikëpamjes nga ky dëshmitar”, pyeti tutje ajo.

Gjithashtu, ka pyetur nëse dëshiron mbrojtësja e viktimave të caktoj një ekspert përveç ekspertit që ka kërkuar për të vendosur se çfarë kompensimi do u jepet viktimave për dëmin që kanë pësuar, në rast se paneli vendos për fajësi dhe se do të bëhet kompensimi financiar.

Anni Pues deklaroi më pas se sa i përket pikëpamjeve dhe shqetësimeve që do të paraqes dëshmitari 0505 do të jenë të kujdesshëm që të mos përsëriten deklaratat më parë, por vetëm gjërat që janë shtesë lidhur me dëshmitë që janë dhënë deri tani.

“Nëse bëhen parashtrime me gojë nga ana ime, do të jenë shumë të shkurta. Në mënyrë që në përgjithësi dhe kjo do të varet edhe nga një takim tjetër që do të bëhet. Pra, këto parashtrime nuk do të jenë më të gjata se një mëngjes , ndoshta një orë e gjysmë apo dy orë si kemi thënë në fillim”, ka thënë ajo.

Kurse, avokati Von Bone ka thënë se në lidhje me materialet që kanë mbetur ende pa u dorëzuar, nuk shohin ndonjë gjë që do të jetë problem.

“Ndonjëherë del diçka e papritur dhe nëse del do ia paraqesim gjykatës sipas rregullave, por nuk parashikojmë se do të dal diçka e papritur”, tha ai.

Të ngjashme