Sport
Mbrojtësi i Kosovës transferohet në Superligën e Rumanisë
Demokracia
15:00 | 29 Maj 2025

Share:

FC Argeș, skuadra e sapo-promovuar në elitën e futbollit rumun, ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato duke firmosur me mbrojtësin kosovar Leard Sadriu.

Futbollisti 24-vjeçar, që për tre sezonet e fundit ka qenë pjesë e ekipit slloven NS Mura, ka arritur një marrëveshje dyvjeçare me klubin rumun dhe do t’i bashkohet ekipit për sezonin e ardhshëm.

Transferimi i tij është zyrtarizuar nga vetë klubi rumun, FC Argeș.

Synimet e klubit rumun janë të qarta: ndërtimi i një skuadre konkurruese me qëllimin për të qëndruar në Superligë. Pas afrimeve të futbollistëve nga Steaua Bukuresht – Ignacio Heras, Rober Sierra dhe Dani Iglesias – tani është zyrtarizuar edhe transferimi i Leard Sadriut, një përforcim me përvojë ndërkombëtare.

Kush është Leard Sadriu?

Sadriu është një qendërmbrojtës me gjatësi 1.86 metra. Ai ka qenë pjesë e skuadrës sllovene NS Mura gjatë tre viteve të fundit, me kontratë të vlefshme deri më 31 maj 2025, por ka vendosur të nisë një aventurë të re në kampionatin rumun.

Sadriu ka regjistruar një paraqitje me përfaqësuesen e Kosovës, duke luajtur 65 minuta në miqësoren kundër Armenisë më 16 nëntor 2022 (rezultati 2-2). Ai ishte gjithashtu pjesë e grupit të Kosovës për ndeshjen problematike ndaj Rumanisë më 15 nëntor 2024, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ajo ndeshje u ndërpre në kohën shtesë kur rezultati ishte 0-0, pasi kombëtarja e Kosovës u tërhoq nga fusha për shkak të sjelljes së tifozëve vendas. UEFA e vendosi rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë, por federata e Kosovës e kontestoi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS).

Në sezonin 2024-25, Leardi ka luajtur 33 ndeshje, ka shënuar një gol dhe ka bërë një asist.

Me këtë transferim, FC Argeș konfirmon ambiciet për një sezon dinjitoz në elitën e futbollit rumun dhe pret që Leard Sadriu të sjellë eksperiencë dhe stabilitet në repartin defensiv.

Në vitet e fundit, liga elitare e Rumanisë ka mirëpritur dhjetë futbollistë kosovarë.

Mediat rumune kanë thënë se Superliga atje po shndërrohet në një burim të vërtetë të fitimeve përmes talenteve kosovare, të cilët po shfaqin paraqitje mbresëlënëse dhe po transferohen për shuma të mëdha jashtë vendit. Ja disa nga emrat më të spikatur:

ATA QË SHKËLQYEN

Albion Rrahmani (sulmues, Rapid) – Shënoi 14 gola në 18 ndeshje dhe u transferua te Sparta Praga për 5 milionë euro.

Ermal Krasniqi (anësor i majtë, CFR Cluj / Rapid) – Performoi mirë me të dyja skuadrat dhe siguroi një transferim të rëndësishëm drejt Spartës.

Meriton Korenica (anësor i majtë, CFR Cluj) – Ka kontribuar me gol ose asist në më shumë se 3 ndeshje.

Astrit Selmani (sulmues, Dinamo Bukuresht) – Golashënuesi më i mirë i Dinamos këtë sezon, me 11 gola dhe 6 asiste.

Florian Loshaj (mesfushor qendror, Poli Iași) – Shënoi 6 gola si mesfushor për moldavët dhe më pas u transferua te skuadra polake Krakow.

Albin Berisha (sulmues, Petrolul) – Shënoi 3 gola në 8 ndeshje dhe kaloi në një ligë të ulët në Gjermani.

ATA QË NUK IA DOLËN

Florent Hasani (mesfushor ofanziv, Rapid) – Nuk arriti të përforcojë skuadrën e Rapidit dhe në dimër firmosi si lojtar i lirë me Boluspor në Turqi.

Armend Thaqi (mbrojtës i djathtë, CFR Cluj) – Luajti vetëm 4 ndeshje në Cluj.

Jetmir Krasniqi (mbrojtës i djathtë, FC Voluntari) – Aktivizuar vetëm dy herë gjatë sezonit 2018-2019 nga Voluntari.

PËR T’U NDJEKUR

Lindon Emërllahu (mesfushor qendror, CFR Cluj) – I transferuar në janar nga Kosova në CFR Cluj, ku presidenti Nelu Varga pagoi 700 mijë euro për kartonin e tij.

Emërllahu, 22 vjeç, u shpall futbollisti i vitit 2024 në Kosovë, ka 6 paraqitje me kombëtaren dhe konsiderohet si një nga talentet më premtuese të vendit. /Klankosova.tv

Të ngjashme