Feronikeli e Prishtina do të zbresin edhe njëherë brenda një kohe të shkurtër në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas për t’i matur forcat ndërmjet vete.
Të shtunën që lamë pas këto dy skuadra u ndeshën në kuadër të javës së 24-t në Superligë ndërsa nesër ato do të ballafaqohen prapë por këtë herë në kuadër të çerekfinales së Kupës, shkruan Demokracia.com.
Në sfidën e kaluar ishte Feronikeli që triumfoi duke e mundur Prishtinën me rezultat 2:0, por si do të jetë këtë herë mbetet të shihet. Nga tabori i “Niklit” janë optimistë se edhe këtë herë do të ngadhënjejnë.
Mbrojtësi me përvojë Përparim Islami, i cili të shtunën bëri disa minuta në fushë pas një kohë të gjatë pasi u përballë me një lëndim të rëndë, beson shumë në ekipin e tij që edhe të enjten do të festojnë.
“Ndeshja për pikë ka qenë një ndeshje e rëndësishme pasi na duheshin pikët për të qenë më të qetë gjatë kampionatit. Tash edhe kjo për Kupë është shumë e rëndësishme për ne sepse është rasti për të dalë në Europë. Dihet që përmes Kupës është rruga më e shkurtër dhe ne do ta kërkojmë me ngulmë këtë”, ka thënë për Demokracia.com, Islami.
Skuadra e Klodian Duros në takimin e fundit me Prishtinën pati një paraqitje shumë të mirë duke e dominuar kundërshtarin gjë e cila edhe i solli triumfin.
Mbrojtësi i njohur me nofkën “rruki” po beson se atë ndeshje do ta përsërisë edhe nesër pasi tash e njohin edhe më mirë forcën e Prishtinës.
“Është e vërtet që në ndeshjen për pikë kemi pasur paraqitje shumë të mirë, por besoj se edhe nesër do të kemi paraqitje të mirë dhe të kalojmë në gjysmëfinale. Të ju kujtojë se është vetëm një ndeshje dhe nuk ka vend për gabime, andaj duhet të përqendrohemi maksimalisht për ta fituar takimin”, ka përfunduar Përparim Islami. /Demokracia.com