Lajme
Mblidhen të pasurit e të fuqishmit: Edhe Kurti e Vuçiqi në Davos – a do të ulen e të diskutojnë para publikut?
Demokracia
14:06 | 16 Janar 2024

Share:

Davosi është një resort skijimi, i shtrirë në Alpet Zvicerane. Megjithatë, duhet të dini se kjo nuk është arsyeja për të cilët njihet. Për çdo janar, Davosi pret qindra politikanë, biznesmenë e figura të tjera publike në atë që njihet si Forumi Ekonomik Botëror (WEF). Atje aktualisht ndodhet edhe kryeministri Albin Kurti, por le të flasim së pari për forumin.

Klaus Schwab, ekonomist dhe profesor zvicerano-gjerman, e themeloi këtë forum në vitin 1971 si përpjekje për ta fuqizuar bashkëpunimin global në çështje politike, sociale dhe ekonomike.

Atje marrin pjesë liderë të fuqishëm, biznesmenë të pasur, pjesëtarë të shoqërisë nga e gjithë bota. Shpesh, një organizim i tillë kritikohet si një “dyqan bisedimesh” për njëpërqindëshin e privilegjuar.

Pra Davosi, për një javë të vitit, më konkretisht të janarit, bëhet fokusi i vëmendjes së botës, derisa elita globale mblidhet në këtë qytet të vogël për t’i diskutuar problemet e botës.

Rindërtimi i besimit

Kjo edhe do të jetë tema e këtij takimi, që është i 54-ti më radhë. Siç thuhet në faqen zyrtare, takimi kësaj here synon “që ta rivendosë agjencinë kolektive dhe t’i përforcojë parimet themelore të transparencës, konsistencës dhe llogaridhënies midis drejtuesve”.

Përgjatë gjithë javës, pra deri më 19 janar, do të ketë takime e panele të ndryshme diskutimi, ku do të flitet për progresin në sigurinë globale, tregtinë, rritjen ekonomike, punët, klimën, tranzicionin energjetik, teknologjinë, shëndetin e mirëqenien.

Programin e plotë të forumit mund ta lexoni këtu.

Kurti e Vuçiqi

Në atë që shpesh portretizohet si “njëpërqindëshi i privilegjuar”, bëjnë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Dy liderët nuk janë takuar prej 14 shtatorit dhe, me shumë gjasë, nuk pritet një takim mes tyre as në këtë organizim.

Megjithatë, shefi i Qeverisë së Kosovës ka paralajmëruar se mund të jetë në një panel diskutimi me Vuçiqin dhe, për herë të parë, të dy do të mund t’i shihnim para publikut duke biseduar.

“Ka mundësi që me presidentin e Serbisë do të jem në një panel, ndërkaq nesër do të kem takim me zyrtarin e lartë nga Departamenti i Shtetit amerikan, James O’Brien, i cili e njeh Kosovën prej tri dekadash” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, Nacionale ia ka hedhur një sy programit të publikuar në faqen zyrtare të Forumit të Davosit.

Aty ende nuk figuron kryeministri Albin Kurti si pjesëmarrës në asnjërën prej paneleve në të cilat do të flasin politikanë të tjerë.

Presidenti i Serbisë duket se pasnesër do të marrë pjesë në një diskutim me temën “Një agim i ri për Euroazinë?”.

Aty shihet se do të ketë edhe pjesëmarrës të tjerë, megjithëse nuk dihet nëse ky është paneli i diskutimit për të cilin e ka pasur fjalën Kurti.

Ndërkohë, as Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë detaje mbi pjesëmarrjen e mundshme të Kurtit në ndonjë panel atje, përveç që është thënë se mund të mbahen takime në margjina të forumit.

Të ngjashme