Lajme
Mbledhja e Parlamentit Europian për Kosovën, Von Cramon jep detaje
Demokracia
12:14 | 25 Mars 2021

Share:

Viola von Cramon, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Europian ka thënë se shtetet e Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë këtë hap sa më parë dhe duhet të hapen dyert për udhëtime pa viza, pasi që kriteret për këtë janë përmbushur prej kohësh.

Sot, Parlamenti Europian do të debatojë dhe votojë mbi pozicionin e tij në lidhje me Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Kosovën dhe Serbinë.

Viola von Cramon, raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën para mbledhjes së këtij institucioni ka thënë se një agjendë e dialogut për Kosovën dhe Serbinë është e mirëseardhur, por si e tillë nuk mund të mbetet vetëm në letër.

“Shpallja e Agjendës së Reformës Europiane të dialogut midis qeverisë së Kosovës dhe Komisionit është e mirëseardhur, por nuk mund të mbetet vetëm fjalë në letër”, tha Cramon, raportojnë mediat e huaja, përcjell Demokracia.com.

Cramon tha se mbështesin Kosovën në reformat e sundimit të ligjit, gjyqësorin dhe administratën publike dhe dëshirojnë të punojnë me Kosovën, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe zbatimit, dhe për këtë qëllim, ne mbështesim Kosovën në reformat në sundimin e ligjit, gjyqësorin dhe administratën publike dhe ne duam të punojmë së bashku për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shtoi Cramon, përcjell Demokracia.com.

Von Cramon tha, ndër të tjera se një qeveri e qëndrueshme, duhet të angazhohet në mënyrë aktive në negociatat me Serbinë.

“Një qeveri e qëndrueshme me një agjendë të qartë të reformave pro-europiane duhet të angazhohet në mënyrë aktive në negociata me Serbinë”, tha Cramon.

Ajo shtoi se është thelbësor normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila rezulton në një marrëveshje të detyrueshme, që si rezultat do të përmbushte parakushtin për negociatat e pranimit dhe hyrjen e mundshme në BE, për ty dyja shtetet.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe një marrëveshje ligjore e detyrueshme janë thelbësore; kjo do të përmbushte gjithashtu parakushtin për negociatat e pranimit dhe hyrjen e mundshme në BE për të dy shtetet” deklaroi Cramon.

Ajo po ashtu tha se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të shfrytëzuar mundësinë për pranimin në BE.

Cramon tha se është koha që shtetet anëtare të BE-së duhet të përkushtohen që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një të ardhme europiane.

“Megjithatë, është koha që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të bëjnë pjesën e tyre dhe të tregojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme Europiane, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Bashkimin Europian, Viola von Cramon tha se pesë (5) shtetet e Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, duhet ta bëjnë sa më parë njohjen përfundimtare.

Ajo shtoi se duhet të hapen dyert për udhëtimin pa viza, pasi që kriteret janë përmbushur kohë më parë.

“Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja duhet të njohin përfundimisht Kosovën. Këshilli duhet të hapë rrugën për udhëtim pa viza, pasi kriteret janë përmbushur prej kohësh, i cili do të ishte një sinjal kuptimplotë për besueshmërinë e BE-së në të gjithë rajonin”, përfundoi Cramon.

Ndërkaq Parlamenti Europian sot pritet të miratojë raportin për Kosovën, pasi një gjë të tillë e kishte bërë më herët Komisioni i Parlamentit Europian për Punë të Jashtme./Demokracia.com/

 

Të ngjashme