Lajme
​Mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri, KQZ: Do të përgjigjemi brenda afatit
Demokracia
17:06 | 13 Dhjetor 2023

Share:

Tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të komunave të veriut të Kosovës, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut, i janë drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesa të ndara.

Siç është bërë e ditur, secili prej tyre ka pranuar kërkesën nga grupi nismëtar për inicimin e procedurës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar mediat për pranimin e kërkesave nga tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale dhe ka treguar përmbajtjen e tyre.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, njoftoi Elezi.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit, KQZ do t’i kthejë përgjigje.

“Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor do të përgjigjemi. Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil”, tha Elezi.

Ndërkohë, i pyetur se si do të procedohet me komunën tjetër, Zveçanin që nuk ka paraqitur kërkesën njëjtë si tri komunat tjera, Elezi tha se nëse eventualisht në këtë institucion paraqitet ndonjë kërkesë e ngjashme, të njëjtën do ta trajtojnë njësoj si rastet tjera.

Të ngjashme