Lajme
Mbi 600 milionë euro i kushtuan Kosovës masat e BE-së: Cilët janë sektorët më të prekur?
Demokracia
19:21 | 29 Maj 2025

Share:

Rreth 830 milionë euro është vlera e projekteve të pezulluara apo të anuluara në Kosovë nga partnerët si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht për shkak të masave ndëshkuese të vendosura para gati tri viteve.

Në një raport të publikuar nga instituti “GAP”, shihen të dhëna shqetësuese ku del se vetëm masat e vendosura për shkak të moskoordinimit të Qeverisë Kurti me partnerët evropianë, i kushtuan vendit mbi 600 milionë euro.

“Nga qershori i vitit 2023, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian (BE). Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera për një afat të pacaktuar. Brenda kësaj shume, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht” – thuhet në raport.

Aty bëhet me dije se përveç pezullimit të fondeve, Kosova nuk u përfshi edhe në ngjarje të nivelit të lartë, përveç atyre që kishin të bëjnë me veriun.

Sektorët më të prekur

Raporti përmend edhe sektorët më të prekur nga pezullimi i këtyre fondeve, që më së shumti kanë të bëjnë me mjedisin, digjitalizimin dhe kulturën .

“Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro. Nga gjithsej mjetet e ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro janë projekte në kuadër të IPA (IPA II dhe IPA III) dhe rreth 395.5 milionë euro janë projekte në kuadër të ËBIF. Realizimi i këtyre projekteve ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta sikurse institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe vetëfinancim në vlerën prej 31 milionë euro”, transmeton Nacionale.

Ndërkaq, për shkak të vendimit të administratës Trump, janë anuluar edhe 157 milionë projekte të USAID.

Çka tha BE për masat?

Të enjten e kaluar, me të arritur në Kosovë, kryediplomatja e re evropiane, Kaja Kallas mbajti një konferencë për media, ku mes tjerash konfirmoi se Bashkimi Evropian ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat u vendosën para gati dy viteve.

Megjithatë, kjo është e kushtëzuar me deeskalimin e situatës në veri.

“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur t’i heqë gradualisht masat, që u vendosën në qershor të vitit 2023. Ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës, dhe lidhje më të afërta me BE-në. Ky vendim, është i kushtëzuar në deeskalimin e qëndrueshëm në veri.

Siç thash, BE-ja ka nisur heqjen e masave. Mendoj që është e rëndësishme të kuptohet, që njëkohësisht nuk duam eskalim në veri. Po e them këtë sepse unë personalisht kam bindur shtetet anëtare që duhet t’i heqim masat për Kosovën, por disa po thonë që Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe eskalimi në veri shkon në kundërshtim me këtë. Dhe këtu kemi hasur në vështirësi. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat në anën tonë, por me të vërtetë duhet të shohim deeskalim në veri” – tha ajo.

Të ngjashme