Lajme
Mbi 50 familje pritet të largohen nga zona e qymyrit në Obiliq, KEK-u nuk tregon sa do t’i kushtojë zhvendosja
Demokracia
18:30 | 13 Nëntor 2023

Share:

Banorët e rreth katër fshatrave në afërsi të mihjeve të reja në Obiliq duhet të largohen më së largu deri në fund të vitit të ardhshëm, për t’ia lëshuar vendin ekskavatorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës për të nxjerrë qymyr. Por, KEK-u nuk është pothuajse askund më këtë proces, i cili do të marrë shumë kohë për zhvendosjen e mbi 50 shtëpive të banimit, shkruan Demokracia.com.

Duke parë që është vonë më procesin, prokurimi i KEK-ut e ka angazhuar me emergjencë nëpërmjet procedurave të negociuara një kompani konsulente që të merret më të gjithë procesin e zhvendosjes së banorëve.

“Shërbime për zhvendosjen fizike dhe ekonomike e një pjese të fshatrave Sibovc, Hade, Leskoshiq dhe Carravodic dhe Shipitull, Komuna Obiliq”. Kështu quhet tenderi që u realizua pa konkurrencë, ndonëse në Kosovë ekzistojnë dhjetëra kompani të tilla të avokatisë. Kontrata do të lidhet me “LEGAL SOLUTION COMPANY” SH.P.K, në një vlerë prej 142,815.40, shkruan Demokracia.com.

Të gjithë vlerësimin do ta bëjë kompania e angazhuar nga KEK-u dhe zakonisht korporata e di vlerën e përafërt se sa pritet t’i kushtojë kjo zhvendosje. Megjithatë, në një pyetje të tillë, ky institucion nuk ka dhënë përgjigje për Demokracia.com gjatë ditës së hënë.

Mësohet se bëhet fjalë për zhvendosjen fizike dhe ekonomike të një pjese të fshatit Sibovc, Hade Leskoshiq dhe Carravodic dhe Shipitull, me sipërfaqe 72.4 hektarë.

Kjo zonë është e ndarë mes rreth 353 parcelave në pesë zona kadastrale. Në zonën kadastrale të fshatrave, në proces të zhvendosjes, sipas elaboratit duhet të zhvendosen fizikisht nga ZK – lagje e fshatit Sibovc.

Planifikimi aktual i mihjes parasheh që familjet duhet të zhvendosen gjatë viteve 2023-2024.

Fshatrat në proces të zhvendosjes shtrihen në Kosovën qendrore, në komunën e Obiliqit, rreth 10 -15 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Prishtinës.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), kompani kjo në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës, është duke i zgjeruar operimet e veta për eksploatimin e thëngjillit në drejtim të veriut, respektivisht në drejtim të avancimit të frontit punues, siç parashihet sipas projektit MIBRAG 2019-2060 të Fushës së Re të Mihjes.

Në përputhshmëri më kërkesat e planit kryesor xehëtar për “Hartimin e projektit të shpronësimit për Minierë”, me qëllim avancimin e mëtutjeshëm të punimeve është hartuar projekt – propozimi për shpronësimin e parcelave të cilat përfshihen në poligonin e dinamikës së vitit 2023-2024.

Poligoni total është i ndarë në dy poligone të zhvendosjes me sipërfaqe: S1=282,849.261m2 dhe  S2=441,083.665m2, pra sipërfaqja totale është 72.4 hektarë.

Projekt elaborati i zhvendosjes përfshin 54 shtëpi banimi, plus objektet përcjellëse të paverifikuara në terren.

Numri total i parcelave (sipas gjendjes së papërditësuar) është:

Zonat kadastrale Shipitullë 57 parcela.

Zona kadastrale Siboc 248 parcela.

Zona kadaststrale Hade 4 parcela.

Zona kasastrale Caravodicë 7 parcela.

Zona kadastrale Leshkoshiq 37 parcela.

Gjithsej 353 parcela.

Operimet aktuale në minierat sipërfaqësore të Bardhit dhe Mirashit zhvillohen në distancë prej 1000/1200 metrash nga zonat kadastrale në proces të zhvendosjes. Zhvillimi i Fushës së Re të Mihjes nga KEK-u planifikohet që të fillojë me blerjen dhe transformimin e patundshmërive (tokave – të gjitha kulturave, shtëpive, objekteve tjera përcjellëse, etj), të zonës së fshatrave Hade, Palaj, Sibovc, Shipitullë dhe Leshkoviq, Komuna e Obiliqit.

Niveli aktual i prodhimit të linjitit në KEK nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesën aktuale për energji elektrike në Kosovë dhe do ta ketë të pamundshme ta bëjë këtë në të ardhmen kur kërkesa e popullatës dhe ekonomisë në rritje do të shtohet. Zgjerimi drejt Fushës së Re të Mihjes (apo fushës së linjitit në Sibovc) ka për synim garantimin e një furnizimi të sigurt të thëngjillit për termocentralet ekzistuese dhe të propozuara. Zhvillimi i Fushës së Re të Mihjes do të rezultojë me prodhim prej 15 milionë tonë në vit, që përbën pothuajse dyfishin e prodhimit nga minierat e Bardhit dhe Mirashit.

Fusha e Re e Mihjes do të zhvillohet me sistem të mihjes sipërfaqësore, ndërsa masat e djerrinës do të depozitohen në minierat e Bardhit dhe Mirashit. Zhvillimi i fushës planifikohet të fillojë në pjesën jugperëndimore të fshatrave Hade, Palaj, Sibovc, Shipitullë dhe Leshkoviq, përfshirë tokën që më parë është blerë nga KEK-u dhe menjëherë pas kësaj do të shtrihet në zonën e fshatrave të theksuara e më pastaj edhe në fshatrat tjera të Komunës së Obiliqit, gjatë avancimit të mihjes.

Zhvillimi i minierës do të rezultojë me zhvendosjen fizike dhe ekonomike të amvisërive dhe tokave private që gjenden në hapësirën që do të shfrytëzohet nga projekti, i cili përfshin zonat kadastrale të theksuara. /Demokracia.com/

Të ngjashme